Komisioni Evropian u propozoi vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që t’i lehtësojnë kufizimet aktuale të udhëtimeve për qytetarët e të ashtuquajturave vende të treta.
Rekomandimi vlen për qytetarët e vaksinuar kundër koronavirusit, me vaksina të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).
EMA, deri më tash, ka miratuar vaksinat e kompanive Pfizer/BioNTech, Moderna, Johnson & Johnson dhe AstraZeneca.
Sipas propozimit të KE-së, të gjithë personat e të ashtuquajturave vende të treta, që janë të vaksinuar me njërën prej këtyre vaksinave, mund të udhëtojnë në BE.
“Komisioni Evropian propozon t’u lejojë hyrjen në BE, për udhëtime jothelbësore, jo vetëm personave që vijnë nga vende me situatë të mirë epidemiologjike, por edhe personave që kanë marrë dozën e fundit të rekomanduar të vaksinës, të miratuar nga BE-ja”, thuhet në komunikatën e KE-së, që është krahu ekzekutiv i BE-së.
BE-ja ka vendosur kufizime për të gjitha udhëtimet jothelbësore në mars të vitit të kaluar, kur edhe ka shpërthyer pandemia e koronavirusit.