India ka kufizuar eksportet e sheqerit në 10 milionë tonë për të përmbushur kërkesat e tregut vendas dhe për të ruajtur stabilitetin në çmimet e sheqerit.
Zyrtarët njoftuan se aktualisht ka marrëveshje për eksportin e 9 milionë tonëve të sheqerit në periudhën qershor-tetor, nga të cilat rreth 7.8 milionë tonë janë dorëzuar, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Thuhet se vendimi për kufizimin e eksporteve të sheqerit në 10 milionë tonë, ndërkohë që India vendosi kufizime në eksportet e grurit në javët e fundit, u mor për të ruajtur ekuilibrin e kërkesës së brendshme dhe të çmimeve për shkak të rënies së prodhimit dhe ofertës së produkteve bujqësore në mbarë botën.
Zyrtarët thanë se këtë vit në vend pritet të prodhohen 30 milionë tonë sheqer dhe se kërkesa e brendshme mund të arrijë në rreth 28 milionë tonë.
Pas kufizimit të eksporteve, prodhuesit e sheqerit nga muaji i ardhshëm duhet të aplikojnë për leje për eksport.
Kërkesa e brendshme pritet të rritet për shkak të festivaleve që do të zhvillohen në muajt shtator-nëntor.
Ndërkohë që nuk ka pasur rritje të ndjeshme të çmimeve të sheqerit në Indi kohët e fundit, me rritjen prej 7.8 për qind të inflacionit në prill, qeveria uli taksat për disa artikuj si benzina, nafta dhe qymyri.
India shquhet si vendi që prodhon dhe eksporton më shumë sheqer pas Brazilit./FolDrejt/