Ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, ka deklaruar se furnizimi i Kievit me avionë luftarakë modern do të ishte “investimi më i mirë i kësaj dekade” në sigurinë e Evropës, njofton Anadolu, transmeton Fol Drejt.
“Nuk ka argumente racionale pse Ukraina nuk mund të marrë avionë luftarakë modern perëndimor dhe jam i bindur se ky vendim do të merret. Ukraina është mbrojtësi i Evropës. Furnizimi i Ukrainës me avionë F-16 do të ishte investimi më i mirë i kësaj dekade në sigurinë e kontinentit evropian”, tha Kuleba.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, Kuleba në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) shprehu besimin se vendet e bllokut evropian janë në gjendje të luajnë një “rol udhëheqës në marrjen e një vendimi për t’i ofruar Ukrainës avionë luftarakë modern dhe kështu do të demonstrojnë udhëheqjen e tyre strategjike”.
“Është e nevojshme sa më parë të fillojmë trajnimin e pilotëve ukrainasë në avionë të tipit perëndimor, në mënyrë që kur të sigurohen, t’i përdorim menjëherë. Kjo do të shpëtojë jetën e ushtarëve dhe civilëve tanë dhe do të garantojë epërsinë e Ukrainës ndaj armikut në ajër”, tha ai.
Shefi i diplomacisë ukrainase theksoi se furnizimi i Ukrainës me avionë luftarakë F-16 dhe integrimi i mbrojtjes ajrore dhe raketore të vendit me ato të vendeve fqinje të BE-së do të “përfundojë formimin e infrastrukturës së një qielli paqësor evropian”.
Pas siurimit të dërgesës së tankeve të betejës në muajin janar, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka kërkuar nga Perëndimi avionë luftarakë për të mbrojtur qiellin e vendit të tij kundër sulmev eruse, një kërkesë e përjashtuar zyrtarisht tani për tani nga vendet si SHBA-ja dhe Gjermania./FolDrejt/