Përgatitjet për transferimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot tashmë kanë filluar dhe Ukraina pret arritjen e tyre sa më shpejt të jetë e mundur, tha Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës Dmytro Kuleba në një konferencë, raporton Ukrinform, përcjell Fol Drejt.
“Viti i kaluar u mbyll me një vendim revolucionar për t’i ofruar Ukrainës sistemet amerikane Patriot, për të cilin u pajtuan liderët e Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, Volodymyr Zelensky dhe Joe Biden. Ne e vlerësojmë shumë këtë hap të ShBA-së. Ne presim arritjen e Patriotit sa më shpejt që të jetë e mundur. Tashmë kanë filluar përgatitjet për transferimin e këtyre sistemeve”, tha ai.
Kuleba shtoi se Presidenti Zelensky dhe i gjithë ekipi diplomatik po punojnë intensivisht për zgjidhje të reja në lidhje me furnizimin e llojeve të reja të armëve perëndimore, në veçanti, tankeve dhe automjeteve të tjera të blinduara.
Siç është raportuar, Shtetet e Bashkuara do t’i ofrojnë Ukrainës sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot si pjesë e paketës së re të ndihmës për sigurinë prej 1.85 miliardë dollarësh. /FolDrejt/