Riola Morina – studente e shkencave politike në UBT – Prishtinë
Çdo vend i botës karakterizohet me një kulturë politike të posaçme. Një kuptim i mirë i kulturës politike të një vendi mund të ndihmojë në kuptimin e mënyrës së funksionimit të qeverisë së një vendi, si dhe vendimet politike që marrin udhëheqësit e tij.
Bazuar në ndarjen ideologjike (e majtë vs e djathtë), në Kosovë nuk vërejmë ndasi apo kontrast të madh ndërmjet këtyre dy të fundit. Kjo vie nga fakti se shumë parti politike nuk e transmetojnë pseudo-agjendën e tyre në politika publike pas momentit që marrin pushtetin. Ndarja ideologjike në Kosovë është shumë e zbehtë dhe e luhatshme edhe për faktin që shumë poltika publike e vendime shtetërore merren ne baza populliste. Pra, vendimet nuk përkojnë me ideologjinë e partisë, por me sigurimin e votave maksimale që mund të sjellë vendimi. Mirëpo në anën tjetër, kur flasim për ndasitë etnike, gjeografike, partiake e fetare, atëherë mund të kuptojmë që kemi ndasi mjaft të polarizuara. Te etniteti, shohim ndarje drastike që vien si pasojë e kohës shumë të shkurtë që ka kaluar nga konflikti i fundit. Sidomos nëse fokusohemi në zonat ku konflikti apo lufta ka shkaktuar më shumë trazira e pasoja, vërejmë që polarizimi është edhe më i thellë se në zonat e prekura më pak nga lufta. Pastaj kemi ndarjen gjeografike ku zonat rurale në krahasim me ato urbane kanë dallime të shumta kulturore. Kjo ndarje ka pasur fillet e saj në atë se zonat rurale kanë qenë gjithmonë më pak të ekspozuara ndaj mundësive për zhvillim profesional, personal e akademik. Më tutje kemi edhe pozicionimet ekstremiste të qytetarëve në parti të caktuara. Këto pozicionime kanë mundësi që vinë si rrjedhojë e favoreve te kryera nga partitë, nepotizmit, klientelizmit etj. Së fundmi kemi edhe ndarjen fetare. Shumë liri personale që vendet perendimore i kanë përqafuar, një shumicë e dukshme në Kosovë vazhdon t’i refuzoj si pasojë e ndikimeve fetare. Konfliktet, fyerjet e përleshjet janë disa nga veprimet që ky fenomen i përshfaq në shoqërinë kosovare.
Prandaj, si përfundim mund të themi se me polarizime kaq të thella në fusha kyçe të shoqërisë si etniteti, pozicionimi politik e besimi fetar, Kosova kultivon në vete një kulturë politike konfliktuale.