Deklarata e ambasadorit zviceran në Kosovë, Jean Humbert Lebet, i cili ka thënë në Skenderaj se “po ndërton ujësjellësin, ndërsa ju po paguani veteranë të rrejshëm”, ka bërë bujë në Kosovë.
Kjo solli edhe reagimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e më pas edhe të Nasim Haradinaj, i cili u shpreh se, edhe në Zvicër ka veteranë të rrejshëm, duke e akuzuar ashpër ambasadorin zviceran për atë se çfarë ka thënë.
Më pas edhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, iu kundërpërgjigj ambasadorit zviceran. “Nuk është ambasadori për me u marrë me ato. Publikisht para qytetarëve është e pakuptimtë me e lidhë një investim me një temë të ndjeshme, me veteranët e luftës. Sikur t’isha ai që marrë vendime, sot ia kisha çu letrën e largimit”, ka thënë ministri Lekaj, transmeton Gazeta Express, përcjell foldrejt.com.
Por, duket se po harrohen edhe investimet në Kosovë, dhe që Zvicra ka qenë një mike e Kosovës, duke e ndihmuar financiarisht, derisa ishte ndër vendet e para që e ka njohur Pavarësinë e Kosovës. Gjithashtu një numër i madh i mërgimtarëve jetojnë në Zvicër dhe kanë kontribuar me remitenca.
Investimet e Zvicrës pasluftës në Kosovë kapin shifrën e 100 milionë eurove. Vetëm gjatë periudhës 2017-2020, ambasada zvicerane ka njoftuar për projektet ku do të investohen 85 milionë franga zvicerane.
Zvicra mbështet Kosovën në përmirësimin e mjedisit të biznesit, duke riorganizuar dhe lehtësuar ambientin e të bërit biznes.
Për më tepër, Zvicra kontribuon në arsimin dhe aftësimin profesional me qëllim të ndërtimit të një sistemi funksional ku aftësitë e punëkërkuesve i plotësojnë kërkesat e tregut të punës.
Sot, Zvicra është partneri bilateral i tretë më i madh i zhvillimit në Kosovë.
Kompanitë zvicerane investojnë rreth 65 milionë franga çdo vit në Kosovë.
200 kompani zvicerane janë të vendosura në Kosovë që nga viti 2003. Së paku 100 mijë vizitorë nga Zvicra vijnë në Kosovë për çdo vit. Rreth 150 persona fluturojnë përmes avionëve çdo vit nga Zvicra në Kosovë.
Çfarë solli Lufta e Kosovës për Zvicrën?
Zvicra regjistroi vitin me numrin rekord të azilantëve. Në 1999 erdhën në Zvicër 47.513 azilkërkues, aq shumë si asnjëherë më parë prej nga Lufta e Dytë Botërore. 29’495 ishin nga ish Jugosllavia ( Kosova, Serbia dhe Mali i Zi). Sipas shifrave të Këshillit Federal, 90 përqind e tyre ishin shqiptarë të Kosovës ose rreth 26 mijë.
Pse shumë kosovarë zgjodhën Zvicrën si vend strehimi?
Në krahasim me kokë banori, Zvicra ka strehuar numrin më të madh të refugjatëve kosovarë. Që nga 1970 erdhën shumë punëtorë nga Kosova në Zvicër. Shumë sosh (burrat) sollën në 1980 dhe 1990 familjet e tyre me ligjin e bashkimit familjar.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës organizoi kryengritjen kundër Serbisë kryesisht nga Zvicra. Gjithashtu edhe Hashim Thaçi, presidenti i sotëm i Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe lideri i shqiptarëve të Maqedonisë Ali Ahmeti jetuan disa vite në Zvicër.
Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi kanë falenderuar shumë herë Zvicrën për angazhimin e saj humanitar.
Foto: zvg
Si u ka shkuar shqiptarëve të Kosovës në Zvicër?
Sot në Zvicër jetojnë rreth 200’000 shqiptarë të Kosovës. Pas italianëve, gjermanëve, portugezëve dhe francezëve, kosovarët janë grupi i pestë i huaj më i madh. Sipas shifrave të reja, ato janë më shumë të prekur nga papunësia 7 përqind, nga mesatarja 2.8 përqind. Kjo lidhet edhe me kualifikimet e shqiptarëve të brezit të parë, por edhe paragjykimeve që ekzistojnë kundrejt tyre.