Asociacioni është kthyer në një pikë kyçe në bisedimet Kosovë – Serbi. Qëndrimi i Kryeministrit Kurti për të është i qartë: Kushtetuta e Republikës së Kosovës “nuk duron asociacion një etnik” – tha ai para disa ditësh, duke iu referuar elementeve antikushtetuese të cilat i përmbajnë versionet 2013 – 2015. Pikërisht tendenca për ta shtyrë përpara këtë “organizim të ri administrativ”, i cili mund ta minojë statusin e republikës, po shihet si e rrezikshme nga pjesa më e madhe e opinionit publik në Kosovë, shkruan Fol Drejt.
Debati ka përfshirë gjithë akterët politikë, por edhe shoqërinë civile. U përndez sidomos pas publikimit të draft-statusit të publikuar nga Friedrich Ebert Stiftung (FES), i cili po vijon të komentohet në mënyra të ndryshme.
I. Zajednica kundër Republikës
Sipas Derek Chollet dhe Gabriel Escobar, Asociacioni nuk do t’ia rrezikojë republikës statusit:
“Çka nuk do të ishte Asociacioni? Nuk do t’ia shtonte Qeverisë së Kosovës një shtresë të re të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ” – thuhet në adresimin e tyre ndaj opinionit publik në raport me qytetarët, ndërsa bënin thirrje: “Është koha për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Por ndryshe e kanë lexuar qytetarët dokumentin e FES-it. Duke iu referuar kapitullit të parë të këtij dokumenti, respektivisht te “Dispozitat e Përgjithshme” të Asociacionit, ku ndër të tjera thuhet se:
“Asociacioni/ Bashkësia mund të shpërbëhet vetëm me vendim të Kuvendit të saj të miratuar me 2/3 e shumicës së anëtarëve të tij” – gazetarit Mirlind Behluli tha se mjafton kjo pikë për ta kundërshtuar propozimin.
“Sipas draft-statutit të publikuar sot, Asociacioni shpërbëhet veç nga Kuvendi i saj me 2/3 e votave. Mjafton veç ky nen që me e refuzu themelimin e Asociacionit. Me sa pare mend çohet njeri e themelon një organizëm që s’munet me zhbë?”
Gurakuç Kuçi, njohës i këtyre zhvillimeve, në emisionin ‘KUADËR’ tha së fundi se, megjithatë ka një lëvizje pozitive në drejtim të kësaj çështjeje, meqë tani nuk po flitet për një asociacion me kompetenca ekzekutive: problemit.
“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe që është proklamuar, e mira e tij është se tani nuk po insistohet në formimin e një asociacioni me kompetenca ekzekutive, po kërkohet të bëhet një asociacion i cili është konform ligjeve të Kosovës. Pra, ka një zhvillim pozitiv në këtë kuadër” – ka thënë ai.
Megjithatë, ai e ka kritikuar ekzekutivin për mungesë të alternativave që i ka ofruar për këtë çështje:
“Por Qeveria e Republikës së Kosovës nuk duhet të bëhet një refuzuese e vazhdueshme e çdo gjëje. Duhet të bëhet edhe një qeveri e cila jep alternativa.”
Për gazetarin Labinot Balaj, varianti që i është ofruar Kosovës, është i ngjashëm me Republika Sërbska në Bosnje.
“ Është model si ai i Republikës Serbe në Bosnje, gjë që paralizon funksionalitetin e shtetit tonë” – ka thënë ai për Fol Drejt.
II. Frika nga hidhërimi amerikan
Të shumtët prej atyre që janë pro implementimit të kësaj marrëveshjeje, e justifikojnë atë duke thënë se “po e kërkon Amerika”. Analisti Shkëlzen Maliqi në një prononcim për portalin Info-ks.net, duke iu referuar qëndrimit zyrtar të qeverisë, shkoi aq larg sa tha “Amerika mjaft e ka duruar arrogancën e Kurtit”.
Sipas tij, qëndrimi i Kurtit nuk është aspak i leverdishëm në këtë situatë:
“E ka vetë fajin për këtë, sepse prej kohës po përpiqet që të zhvillojë politikë “sovraniste” duke ndërmarrë me këmbëngulje masa politike që kanë prodhuar kriza të njëpasnjëshme gjatë vitit 2022, të gjitha këto pa koordinim me SHBA-të dhe partnerët perëndimorë, madje edhe duke refuzuar hapur kërkesat e Uashingtonit që t’i epet kohë diplomacisë perëndimore që të përgatiten kushtet e arritjes së një marrëveshje të avancuar mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Kurti ka shfaqur tërë kohën idetë e veta për procesin, dhe i bindej SHBA-ve, dhe këtë jo plotësisht, vetëm kur politikat i dështonin ose e sillnin gjendjen buzë konflikteve të armatosura në Veri të Kosovës. Uashingtoni nuk është më i gatshëm që të tolerojë obstruksionet e Kryeminstrit Kurti, dhe nesër i ka ftuar në ambasadën amerikane të gjithë ata faktorët politikë dhe të shoqërisë civile që janë të gatshëm të bisedojnë rreth përmbushjes së një obligimi ndërkombëtarë që e ka Qeveria e Kosovës, rreth krijimit të Asociacionit”, ka thënë Maliqi.
Por shpjegimet e tilla i hidhen poshtë nga pala tjetër, e cila arsyet i mbështetë jo në raportet miqësore Kosovë – Amerikë, por te thelbi i çështjes: statusi i asociacionit i cili është krejt pranë një autonomie brendaterritoriale të Kosovës.
Shumica prej këtyre të fundit konsiderojnë se edhe nëse merret një vendim për themelimin e këtij organi, askush nuk mund t’ia garantojë Kosovës njohjet nga pesë vendet e BE-së, integrimin në OKB e aq më pak njohjen nga Serbia.
Sot, përndryshe, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), ka ftuar në debat publik për këtë çështje akterët politikë, duke i përfshirë këtu pozitën, opozitën, shoqërinë civile dhe akterë të tjerë relevatë./FolDrejt/