Forcat ukrainase kanë rimarrë 2.000 kilometra katrorë gjatë kundërofensivës në lindje të Ukrainës, sipas Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Përparimet e shpejta të Ukrainës përfshijnë edhe hyrjen e trupave të saj në qytezat Izjum dhe Kupiansk të shtunën.
Mirëpo zyrtarë britanikë të Mbrojtjes kanë paralajmëruar se luftimet e ashpra kanë vazhduar jashtë këtyre qytezave.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka konfirmuar tërheqjen e forcave të saj, duke thënë se ky vendim është marrë për t’ua mundësuar ushtarëve “rigrupimin” në territorin e kontrolluar nga separatistët e mbështetur prej Moskës.
Ministria ruse ka konfirmuar edhe tërheqjen e trupave të saj në qytezën e tretë, Balakja, me qëllim të “rritjes së përforcimeve” në frontin e Donjeckut.
Ushtria ukrainase kanë thënë se ka hyrë në këtë qytezë të premten.
Ndërkohë, administrata e instaluar nga Rusia në rajonin e Harkivit, u ka bërë thirrje banorëve që të evakuohen në Rusi “për të ruajtur jetët e tyre”.
Në disa pamje të paverifikuara në rrjetet sociale janë parë radhë të gjatë të njerëzve që ia kanë mësyrë kufirit.
Guvernatori i Belgorodit, rajon kufitar në Rusi, ka thënë se personave që evakuohen do t’iu sigurohet ushqimi, ngrohja dhe ndihma shëndetësore.
Shpejtësia e kundërsulmit ukrainas, të nisur këtë javë, nuk ka zënë në befasi vetëm rusët, por ka befasuar edhe shumë ukrainas.
Megjithatë, rusët ende besohet se zotërojnë një të pestën e Ukrainës. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./tch/