Regjisori i kinemasë me famë botërore, Jafar Panahi, është në mesin e të arrestuarve për nënshkrimin e një deklarate që kritikon përdorimin e forcës kundër protestuesve në Iran.
Sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Mehr, Panahi vizitoi prokurorinë në kryeqytetin Teheran për të mësuar mbi akuzat ndaj kolegëve të tij të arrestuar së fundmi, Mohammed Rasulof dhe Mustafa Al Ahmed, por thuhet se edhe Panahi u arrestua teksa po dilte nga prokuroria, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Pasi një qendër biznesi 10-katëshe u shemb më 23 maj në qytetin e Abadan, në provincën Khuzestan të Iranit jugperëndimor dhe pas daljes së lajmeve për parregullsi, banorët e rajonit organizuan protesta antiqeveritare.
Pasi forcat e sigurisë ndërhynë në demonstrata, më shumë se 70 kinematografë iranianë përgatitën një deklaratë të titulluar “Lëre armën” dhe kritikuan ndërhyrjen ndaj protestuesve.
Nënshkruesit e deklaratës, regjisori dhe producenti i filmit me famë botërore, Muhammed Resulof dhe Mustafa Al Ahmed, u arrestuan më 8 korrik me akuza të tilla si “kundërshtarë të revolucionit” dhe “nxitje të shoqërisë”.
Në mesazhin që ka shpërndarë dje në llogarinë e tij në rrjetet sociale për kolegët e tij të arrestuar, Panahi tha se, “A ka pasur ndonjë kërkesë të paligjshme në deklaratën e quajtur ‘Lëre armën’ që u arrestuan kinematografët e dashur, Muhammed Resulof dhe Mustafa Al Ahmed? A është krim të inkurajosh shmangien e dhunës që kemi dëshmuar vazhdimisht për 43 vjet?”
Duke përshkruar dallimet midis klasave në shoqërinë iraniane në mënyrë të habitshme në filmat e tij, Panahi mori shumë çmime ndërkombëtare, veçanërisht “Ariu i Artë” për filmin “Taxi” si filmi më i mirë në Festivalin e Filmit në Berlin në vitin 2015. Mohammed Resulof gjithashtu fitoi “Ariun e Artë” në vitin 2020 për filmin e tij “Djalli nuk ekziston”.
Panahi dhe Resulof u dënuan me nga gjashtë vjet burg në vitin 2010 për mbështetje të ngjarjeve që shpërthyen pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2009, por dënimet e tyre më vonë u ulën në një vit. Resulof u dënua me 1 vit burg në vitin 2020 me akuzën “veprim kundër sigurisë kombëtare dhe propagandë kundër regjimit”./FolDrejt/