Në Kuvendin e Republikës së Kosovës janë shkëmbyer replika ndërmjet Ramush Haradinajt dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës – Albin Kurti, shkruan Fol Drejt.
Haradinaj para pak minutash e akuzoi Kurtin se dikur ka qenë radikal ndaj disa çështjeve, ndërsa tani është zbutur.
Por Kryeministri Kurti i është kundërpërgjigjur duke i thënë:
“Kur është situata tejet e rrezikshme për shtetin dhe kombin, unë jam radikal. Por sot nuk është kjo situatë. Nuk ka nevojë!”
Po ashtu ai ia kujtoi ish kryeministrit një veprim, për të cilin ai pat shkaktuar një bujë në opinionin publik:
“Unë nuk po marr merita për thesarin amerikan që i ka vënë në listë të zezë disa prej kriminelëve serbë në Ballkan. Po unë besoj, që shumë ma kollaj kjo ka qenë e mundur me një qeverisje demokratike pas ndryshimit të madh të shkurtit të kaluar. Se as Thesari Amerikan nuk ka mundësi me i bo të gjitha gjërat, kur ti s’i vendas nuk i bon. Kur kryeministri i Kosovës, siç ka ndodhur para 4 vjetëve, e pret kryekriminelin në zyrë, kjo ja vështirëson punën edhe Amerikës.”
Sipas Kurtit, është ndryshimi i madh demokratik në Kosovë, ai që ia ka lehtësuar Perëndimit që ta ndihmoj Kosovën./FolDrejt/