Rreth 1.2 milion euro të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës do të barten në buxhetin e Kosovës. Ky vendim është marrë në mbledhjen e së martës të Qeverisë së Kosovës.
Këto mjete në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës janë grumbulluar nga viti 2011 deri në vitin 2012, por nuk është arritur të identifikohen pronarët.
Jeton Demi, zëdhënës në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, tregon se Ligji autorizon Fondin e Kursimeve Pensionale t’i transferojë këto mjete të paalokuara në buxhetin e Kosovës. Dhe kjo, sipas tij, vlen për kontributet që kanë kaluar periudhën 6-vjeçare dhe për të cilat Fondi i ka shteruar të gjitha mundësitë për t’i identifikuar dhe alokuar ato.
Demi thotë se gjatë kësaj periudhe disa kompani i kanë përfunduar pagesat, por nuk e kanë dorëzuar listën e punëtorëve apo të dhënat tjera të nevojshme.
“Këto mjete janë paguar përmes Administratës Tatimore të Kosovës në Fondin e Kursimeve Pensionale për periudhën tetor 2011- dhjetor 2012. Këto mjetet janë të paguara në emër të kontributeve pensionale, por për të cilat nuk janë dërguar informacionet e nevojshme. Emri, mbiemri, numri personal, periudha për të cilën janë paguar dhe arsyet pse. Ka shumë raste kur punëdhënësit paguajnë gabimisht”.
“Fondi i Kursimeve Pensionale, në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës, në vazhdimësi zhvillon aktivitete për identifikimin e kontributeve të paidentifikuara”, bën të ditur Demi.
Në rast se për kontributet përkatëse nuk identifikohen paguesit nga ana e Fondit dhe nuk ka as njoftim nga ana e vetë paguesve deri në gjashtë vjet nga viti i pagesës, atëherë Qeveria e Republikës së Kosovës e ka të drejtën e marrjes së vendimit për inkasimin e fondeve përkatëse në buxhetin e Republikës së Kosovës.
Një vendim përkatës merret vetëm pasi që Bordi i Fondit të ketë informuar me shkrim Qeverinë që ka shtjerrë të gjitha mundësitë e identifikimit të paguesve të kontributeve përkatëse.
Por, në rast të identifikimit të paguesve të kontributeve pas afatit gjashtë vjeçar, mjetet e inkasuara i kthehen Fondit së bashku me kamatën ekuivalente me fitimin mesatar që ka pasur Fondi gjatë kësaj periudhe.
“Në rast se del një kontribut-dhënës që dëshmon të kundërtën, ato mjete do t’i kalojnë në llogari. Pra, është çështja e gjetjes së pamundësisë se kujt i takojnë në një periudhë të caktuar në këtë rast gjashtë vjeçare”, thekson Demi.
Ndryshe, të gjithë të punësuarit në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: pesë për qind e paguan punëdhënësi, kurse pesë për qind nga paga e të punësuarit.
Kursimet pensionale mund të përdoren nga kontribuuesi vetëm pasi t’i përmbushë kriteret për pension.
Disa kontribut-pagues nuk kanë njohuri se në Trust ekzistojnë mjete pa pronarë. Shpresa Hoxha punon në sektorin publik dhe paguan kontributet pensionale. Ajo e konsideron të palogjikshme bartjen e mjeteve nga Trusti në buxhetin e Kosovës.
“Këto mjete janë kontribut i njerëzve, të cilat në të ardhmen i shërbejnë për mirëqenie sociale. Do të ishte mirë të menaxhohen mirë. Por, nuk e di se ka mjete të paidentifikuara dhe nuk e di se si barten në buxhetin e Kosovës. Është e padrejtë”, thotë Shpresa.
Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike deklarojnë se një ndër çështjet më elementare për ndërtimin e një buxheti është parimi i formalizimit të projekteve, respektivisht formalizimit të të gjitha të hyrave dhe shpenzimeve potenciale.
Berim Ramosaj, profesor në Fakultetin e Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se asnjë shumë nuk guxon në buxhet të figurojë nëse nuk janë të formalizuara në aspektin e të hyrave apo shpenzimeve të mundshme.
Ramosaj shprehet se autoritetet kompetente është dashur që të hulumtojnë më tepër për identifikimin e pronarëve të këtyre kontributeve.
“Aspekti i identifikimit i takon jo vetëm Trustit, por edhe agjencive tjera të pavarura, të cilat kanë përgjegjësi jo vetëm për identitetin e personave, më të cilët korrespondon shuma e mjeteve, por kanë përgjegjësi të tregojnë edhe kohën e kthimit dhe shkallën e riskut. Prandaj, unë nuk kuptoj pse i bëjnë këto veprime, a janë të ngutshme apo është fjala për padituri”, vlerëson Ramosaj.
Por, Jeton Demi tregon se janë shterur të gjitha mundësitë e identifikimit të kontribut-paguesve.
Ai tregon se nga viti 2002 vlera e mjeteve të paidentifikuara ka qenë mbi 50 milionë euro. Rreth 40 milionë eurove është arritur t’u gjendet pronari, kurse për rreth 10 milionë euro ka qenë e pamundshme, e të cilat vitin e kaluar janë bartur në buxhetin e Kosovës.
“Përkundër se kjo nuk ka qenë detyrë, obligim ligjor i Trustit, pa këto përpjekje kjo shumë do të ishte pesë herë më e lartë. Pra, ne jemi të kënaqur që kemi arritur të gjejmë informata të tilla. Në këtë proces kemi pasur edhe mbështetjen e Administratës Tatimore të Kosovës, e cila nga ndryshimi i mënyrës së raportimit nga viti 2012 e këtej, përmes deklarimit elektronik, ka bërë që të ulen në minimum rastet e tilla të pasakta dhe të gabuara”, thekson Demi.
Ndryshe, mbi 1.7 miliard euro është shuma e mjeteve të rreth 600 mijë kontribut-paguesve, që i menaxhon Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovë.