Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij me rastin e 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë se komandanti legjendar Adem Jashari është gjallë edhe sot, e veçanërisht në ushtarët e FSK-së, transmeton Fol Drejt.
Në fjalimin e tij, veç tjerash, Kurti ka theksuar se sot po e përmbushin vizionin që kishte pasur edhe Adem Jashari për Ushtrinë e Kosovës.
“Ato ditë ishte ende koha e luftës, e asaj lufte për të cilën Adem Jashari ishte përgatitur gjithë jetën dhe asaj lufte që ai ia kushtoi tërë jetën. U tha “Ai është gjallë”, edhe pse ai kishte vdekur për liri, sepse ishte pikërisht rënia e tij heroike, që kishte bërë që Adem Jashari të mbetej i gjallë mes ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai është gjallë edhe sot, veçanërisht sot, dhe veçanërisht tek ju ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka thënë kryeministri Kurti.
“Sot ne e përmbushim vizionin edhe vizionin e atëhershëm të Adem Jasharit për Ushtrinë e Kosovës, teksa e ndihmojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila është në proces të transformimit, në Forcat e Armatosura të Kosovës, duke shtuar personelin dhe rritur kapacitetet, duke u pajisur me pajisje moderne, dhe duke u trajnuar e stërvitur në akademitë më të mira ushtarake të vendeve tona aleate”, ka shtuar tutje ai./FolDrejt/