Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para pak minutave ka arritur në pallatin Elysee në Paris, ku është pritur nga presidenti francez, Emmanuel Macron.
Kurti dhe Macron pritet që të mbajnë edhe një konferencë për media, në të cilën do të flitet për çështje të rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Kurti në udhëtimin e parë drejt Francës si kryeministër i vendit është bashkë me zv/kryeministrin Besnik Bislimi si dhe zv/kryeministren Emilja Rexhepi, shkruan lajmi.net, përcjell FolDrejt.com.
Në shkurt të këtij viti, në po të njëjtin vend ishte edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. E aty kishte qenë më herët edhe ish-kryeministri, Avdullah Hoti.
Macron, pas takimit me Vuçiqin pranonte se kryetema e takimit ishte dialogu Kosovë – Serbi, ndërsa theksonte se do të mbështeste zgjidhjet që propozoheshin nga presidenti serb, e të cilat presidenti francez i quante inovative.
“Patëm bisedime të besimit të plotë me presidentin Vuçiq sa i përket kësaj teme, dhe dua ta përshëndes përgjegjësinë që ka marrë ai disa herë për të propozuar disa zgjidhje që janë inovative. Jam i gatshëm t’i mbështes ato”, pati deklaruar Macron.