Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit që ka zhvilluar me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka kërkuar nga BE që ta mbajë përgjegjëse Serbinë për shkelje të marrëveshjes, shkruan AA.
Kurti tha nëpërmjet rrjeteve sociale se në takimin me emisarin Lajçak ka theksuar nevojën që marrëveshja e arritur midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe aneks-marrëveshja në Ohër të zbatohen në tërësi.
“Theksova nevojën që Marrëveshja bazë të implementohet në tërësi dhe nevojën që BE-ja ta mbajë përgjegjëse Serbinë për shkeljet e vazhdueshme të asaj marrëveshjeje”, ka shkruar Kurti.
Lajçak në një deklarim për media para Qeverisë së Kosovës, pas takimit me Kurtin tha kishin një takim “shumë intensiv por, të rëndësishëm”.
Emisari evropian tha se Kosova dhe Serbia kanë “një marrëveshje, aneksin, ndaj duhet të kemi një kuptim të qartë të hapit të parë, hapit të dytë dhe hapit të tretë”.
Vizita e emisarit Lajçak synon të përgatisë hapat e ardhshëm në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ai tha po ashtu se nesër do të zhvillojë vizitë zyrtare edhe në Beograd, derisa të hënën në Bruksel tha se do të takohet me kryenegociatorët e dy shteteve në dialog, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
Më 2 maj, në Bruksel është mbajtur rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përcjell Fol Drejt.