Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri sot nderime tek varri i dëshmorit Ismet Rrahmani.
Për këtë ai njoftoi përmes një njoftimi në Facebook, transmeton Fol Drejt.
Kurti gjithashtu vizitoi edhe familjen e dëshmorit.
Ky është postimi i tij i plotë:
“Në prag të përvjetorit të çlirimit të Kosovës, më 11 qershor, Ismet Rrahmani nga Açareva e Skënderajt, do t’i mbushte 60 vjet. Ai ra dëshmor te “Zabeli i Mustafës” afër lumit të Klinës, më 27 gusht 1998. Sot bëra nderime te varri i tij, para se ta vizitoj familjen e tij dhe kullën e ndërtuar afër vendit ku është vrarë Ismeti, bashkëluftëtar i dëshmorit Bekim Berisha – Abeja. Në oborrin e kullës ishin mbjellur 36 pisha, aq vjet sa kishte Ismeti kur ra dëshmor, ndërkaq kulla ishte ngritur pranë një lisi 700 vjeçar.
Në shtëpi na priti nëna e dëshmorit, Nëna Cyme, 84 vjeçare. Ismeti kishte qenë arsimtar në shkollën “Rilindja” të Açarevës dhe në shkollën “Kuvendi i Drenicës” në Abri të Ulët. Edhe Nëna Cyme ka qenë dikur mësuese në Ujmir e në Dush të Klinës.
Ismet Rrahmani (11.6.1962 – 27.8.1998) ishte burgosur e torturuar nga Serbia në vjeshtën e vitit 1996, para se të bëhej luftëtar i lirisë. Krahas Ismetit, edhe katër djemtë e tjerë të Nënës Cyme, Sabiti, Ramoshi, Haliti dhe Dastani, i ishin bashkuar luftës çlirimtare. Nuk ka pasur shtëpi në Açarevë që s’e ka pasur së paku një ushtar të UÇK-së. Nga ky fshat vijnë dy gjeneralët Rexhep e Sylejman Selimi.
Vëllau i vogël i dëshmorit, Dastani, me mall e krenari, na e shpjegonte secilën foto në muret e kullës dhe secilën gjurmë predhe në muret e shtëpisë.
Vëllau i madh i dëshmorit, Ramoshi, me gruan e tij, Veziren, dhe djalin e tij Arbonin, po e punonin tokën: 20 hektarë (shumica të marra me qira) i mbjellin me grurë e misër, 40 ari me lakër; dhe, i kanë edhe 20 koshere me bletë dhe 20 krerë lopë.
Familje luftëtarësh të paepur në luftë dhe e punëtorëve të palodhshëm në paqe.”/FolDrejt/