Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ka zhvilluar dy biseda telefonike me ministrin e Jashtëm italian, Antonio Tajani dhe përfaqësuesin e Dhomës së Lordëve në Britaninë e Madhe, Stuart Peach, me të cilët ka diskutuar mbi situatën e krijuar në veri dhe kanë dënuar dhunën e ushtruar ndaj ushtarëve të KFOR-it, transmeton Fol Drejt.
“Në një telefonatë të dytë sot me ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani, përcolla mirënjohjen e thellë të qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës për ushtarët e KFOR-t italian.”, shkroi Kurti në Twitter.
Kurti vlerësoi veprimet e guximshme të ushtarëve për të ruajtur paqen përballë ekstremizmit të dhunshëm, ndërsa iu uroi shërim të plotë dhe të shpejtë të lënduarve.
Në një bisedë tjetër telefonike, Kurti ka diskutuar me përfaqësuesin e Dhomës së Lordëve në Britani të Madhe, Stuart Peach, të cilit i ka theksuar se qytetarët e të gjitha etnive kanë të drejtë në shërbim të plotë dhe të papenguar të zyrtarëve të tyre të zgjedhur.
“Fola me Lordin Stuart Peach për sulmet e egra ndaj Policisë, KFOR-it dhe gazetarëve. Në një demokraci nuk ka vend për dhunë fashiste – asnjë arsye të kalohet nga vota në plumb. Qytetarët e të gjitha etnive kanë të drejtë në shërbim të plotë dhe të papenguar të zyrtarëve të tyre të zgjedhur.”, shkroi Kurti në Twitter. /FolDrejt/