Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, me të cilin ka diskutuar rreth situatës në Kosovë, raporton Fol Drejt.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti sonte zhvilloi një bisedë telefonike me Sekretarin për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly. Biseda ishte e përqendruar rreth zhvillimeve të fundit në vend, me theks te situata në katër komunat në veri të vendit, për çka kryeministri Kurti e njoftoi sekretarin Cleverly për kronologjinë e ngjarjeve dhe e përditësoi me më të rejat. “, shkruan në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Kryeministri Kurti ka thënë se situata këto ditë është përgjithësisht e qetë sepse nuk ka sulme të urdhëruara dhe të orkestruara nga Beogradi ndaj forcave të rendit dhe sigurisë.
Për sa i takon rrugës përpara drejt deeskalimit të plotë ai tha se sundimi i ligjit duhet të jetë hapi dhe parimi bazë.
Vetëm sundimi i ligjit mund t’i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira e demokratike, dhe një fushate parazgjedhore të hapur dhe fer, ka theksuar kryeministri. /FolDrejt/
Ai po ashtu foli për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për marrëveshjet e arritura së fundmi në Bruksel dhe Ohër dhe rëndësinë e zbatimit të shpejtë, të plotë dhe të pakushtëzuar. Gjithashtu e njoftoi sekretarin Cleverly dhe për propozimin e Qeverisë e Kosovës, të inspiruar nga modeli kroat, në kuadër zbatimit të nenit 7 të Marrëveshje Bazike, dhe për nevojën për angazhim më të madh në sekuencimin e duhur të zbatimit të plotë të Marrëveshjes, dhe për gatishmërinë e tij për takime të radhës drejt këtij qëllimi.
Kryeministri vlerësoi rolin dhe kontributin e Lord Stuart Peach teksa shprehu falënderimin për mbështetjen dhe interesimin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar.