Në 32 vjetorin e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, kryeministri Kurti ka theksuar edhe njëherë se deklarata e 2 Korrikut 1990 ishte akti që shënoi hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës dhe triumf i legjitimitetit popullor të vullnetit qytetar mbi legalitetin shtypës të Serbisë
Kurti ka shkruar në Facebook se më 2 korrik të vitit 1990, përmes Deklaratës Kushtetuese u shpall Republika e Parë e Kosovës, transmeton Fol Drejt.
“Në kushtet e represionit të pushtetit të Serbisë, delegatët u mblodhën jashtë dyerve të Kuvendit, meqë nuk lejoheshin të hynin brenda. 32 vite më parë triumfoi legjitimiteti popullor i vullnetit qytetar mbi legalitetin shtypës të Serbisë”, ka shkruar Kurti, transmeton Telegrafi.
“Deklarata Kushtetuese u nënshkrua prej 114 delegatëve nga shumica shqiptare e pakicat boshnjake e turke. Kjo deklaratë ishte akt i vetëvendosjes politike dhe artikulim i qartë i vizionit e vullnetit politik të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi. Që ky vullnet të bëhet realitet u bënë shumë sakrifica e flijime, shumë punë e angazhim”.
“Me krenari e respekt kujtojmë delegatët nënshkrues, ata që janë mes nesh dhe ata në përjetësi. I paharrueshëm është kujtimi për ta dhe veprën e tyre”, ka shkruar ai.
Deklarata e 2 Korrikut 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.
Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave, e shpallën në Prishtinë 111 delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës.
Deklarata shënon edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme në federatën jugosllave. /FolDrejt/