Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pritet që javën e ardhshme, nga 28 deri më 30 prill të realizojë vizitën e tij të parë në Bruksel, që prej se mori drejtimin e ekzekutivit. Të njëjtën javë, por jo edhe në të njëjtën kohë, në Bruksel pritet të qëndrojë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vizita e Kurtit në Bruksel është konfirmuar të mërkurën edhe nga Qeveria e Kosovës.
Vuçiq pritet që më 26 dhe 27 prill t’i zhvillojë takimet në Bruksel.
Që të dy do të ketë takime me zyrtarët më të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian.
Sipas burimeve në Bruksel, Kurti të ketë takim me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von Der Leyn, Përfaqësuesin e lartë Josep Borrell si dhe Komisionerin për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Verhelyi.
Dialogu me Serbinë, përballja me pandeminë në Kosovë dhe ndihma që në këtë drejtim ofron BE-ja si dhe procesi i reformave, pritet të jenë tema kryesore të këtyre takimeve.
Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, BE-ja do të dëshironte që takimi i parë Kurti-Vuçiq të realizohet sa më shpejt, por realisht një takim i tillë pritet të ndodhë diku në muajin maj.