Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur hap të madh fillimin e bashkëpunimit në mes të Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike të Shqipërisë, shkruan Fol Drejt.
“Sot u bë një hap i madh përpara në bashkëpunimin e studiuesve tanë.
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Akademia e Studimeve Albanologjike e Shqipërisë ia nisin bashkëpunimit në katër drejtime me rëndësi.”, shkroi Kurti në Faceook.
Kurti theksoi se albanologjia dhe jo vetëm janë fusha për të cilat universitetet në Kosovë dhe Shqipëri duhet të kenë maksimumin e bashkërendimit dhe bashkëpunimit shkencor e profesional.
Ai tha se krahas marrëveshjeve që qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë i kanë në fushën e arsimit dhe në fushat e tjera, marrëveshjet dhe projektet e përbashkëta të universiteteve dhe profesionistëve në çdo fushë janë shumë të mirëpritura dhe të nevojshme.
“Rektori Prof. Dr. Qerim Qerimi dhe Rektori Prof. Dr. Luan Përzhita u dakorduan që midis dy institucioneve të arsimit të lartë të punojnë për:
1. Krijimin e grupeve të punës për hartimin e projekteve strategjike të përbashkëta në fushën e albanologjisë – përkatësisht në fushën e arkeologjisë, antropologjisë social- kulturore, historisë dhe atë të gjuhësisë.
2. Ndërtimin e programeve të përbashkëta në studimet Master dhe Doktoraturë në fushën e albanologjisë – arkeologji, antropologji social-kulturore, histori, dhe të gjuhësisë.
3. Krijimin e një platforme të përbashkët për shkëmbimin e stafit akademik në mes dy institucioneve.
4. Hulumtime të përbashkëta për trashëgiminë kulturore në Kosovë dhe Shqipëri.
Suksese profesorëve e studiuesve!”, shtoi Kurti.
Kryeminstri tha se së shpejti do të ketë nisma dhe projekte që jetësojnë synimet e përbashkëta. /FolDrejt/