Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në takim u bisedua për menaxhimin e pandemisë në të dy vendet, trendin e vaksinimit dhe mundësinë e lehtësimit të masave, njofton Klan Kosova.
Kurti foli për stabilitetin institucional, progresin dhe reformat e nisura të qeverisë në fusha të ndryshme.
Për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, kryeministri ritheksoi se duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve, si rruga e vetme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.
Sela theksoi nevojën për komunikim ndërshqiptar dhe bashkërendim të veprimeve politike përballë zhvillimeve rajonale.
Lidhur me nismat si “Ballkani i Hapur”, Sela tha se asnjë iniciativë e tillë nuk ka kuptim për sa kohë që nuk vendoset edhe mozaiku i fundit i rajonit të Ballkanit, e që është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
“Ndryshe kjo do të kishte efekt shumë të dëmshëm për shtetësinë e Kosovës dhe në përgjithësi për shqiptarët”, shtoi Sela.
Në takim, ai u shoqërua nga Ilire Dauti, kryetare e Grupit Parlamentar të Aleancës për Shqiptarët në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Arben Taravari, sekretar i përgjithshëm i partisë dhe kryetar i Gostivarit.