Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur rreth deklaratave të deputetit të partisë së tij, Haki abazit.
Ai ka thënë që janë të pavërteta deklaratat e deputetit, Haki Abazi i cili pretendoi se Prokuroria Speciale duhet të intervistojë ministren Albulena Haxhiu, kreun e ekzekutivit për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, përcjell Fol Drejt.
Kurti para mediave ka thënë që ato deklarata të deputetit Abazi, janë “të pavërteta” dhe “të pasakta”.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte deklaruar se menjëherë pasi ka kuptuar deklaratat e deputetit Abazi, ka kërkuar nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi që të njoftohet Prokuroria Speciale dhe Abazi të jetë dëshmitar i rastit të mostrave të Astrit Deharit.
Një muaj pas përvjetorit të gjashtë të vdekjes së Astrit Deharit, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu kishte dalë me një njoftim se mostrat e tij janë zhdukur nga IML.
Ndryshe sot ka nisur intervistimi i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Haki Abazi, nga Prokuroria Speciale.
Javën e kaluar, Abazi kishte kërkuar nga Prokuroria që të merret në pyetje kryeministri i vendit Albin Kurti për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore./FolDrejt/