Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është vërtetuar në mënyrë të pakundërshtueshme se armët dhe stërvitjet luftarake të serbëve që sulmuan fshatin Banjskë të Zveçanit kanë ardhur nga Serbia.
Ai në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda” ka theksuar se të gjitha armët e konfiskuara janë prodhuar në Serbi, dhe kanë ardhur nga Serbia, dhe sipas tij për nga lloji dhe sasia kanë mjaftuar për një ushtri të tërë.
“Faktet e lartpërmendura na çojnë në përfundimin se nuk bëhet fjalë vetëm për një bandë kriminale dhe terroriste apo për shtetas të armatosur, por për profesionistë që kanë kryer trajnime serioze, me një lloj arme me origjinë nga Serbia. Serbia, po e përsëris, u ka siguruar pajisje ushtarake, ka kryer stërvitje luftarake, ka përcaktuar qëllime politike dhe ka ofruar mbështetje të plotë logjistike. Më në fund, dihet se ky grup terrorist ka kryer stërvitje në “Livadhet e Pasulit”, një nga bazat kryesore të ushtrisë serbe”, ka thënë ai.
“Përgjegjësia e Serbisë është e padiskutueshme edhe për ata që nuk duan ta shohin dhe dëgjojnë. Së dyti, Milan Radoiçiq është ish-nënkryetari i Listës Serbe nga Kosova, e cila është krijuar, ndihmuar dhe mbështetur nga Qeveria e Serbisë. Dhe të gjithë janë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Presidentit të Serbisë. Më 29 shtator të këtij viti, vetë Vuçiq njoftoi dorëheqjen e Radoiçiqit nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe, pas pranimit të Radoiçiqit se ka udhëhequr përgatitjet dhe ka marrë pjesë në sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës”, ka thënë Kurti.
Kreu i ezekutivit kosovar komentoi edhe arrestimin e më pas lirimin e Radoiçoqit nga autoritetet serbe.
“Arrestimi dhe lirimi i Radoiçiqit të kujton marrëveshjen e Pablo Escobarit me presidentin kolumbian: Escobar në fakt do të pranonte të shkonte në burg me kusht që të vendosej në burgun e tij, të ndërtuar në mënyrë të pavarur, në të cilin do të kontrollonte komandantët dhe jo anasjelltas; mirë, gjoja do ta vuante dënimin atje. Marrëdhënia mes Vuçiqit dhe Radoiçiqit nuk është origjinale; e kemi parë tashmë shumë herë. Putini i vogël në Beograd duhet të ketë Prigozhinin e tij të vogël në Kopaonik. Ose, nëse kthehemi pak më tej në të kaluarën, del një paralele: Sloba i ri në Beograd ka Arkanin e tij të ri në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Ai duke iu referuar sulmit të 24 shtatorit deklaroi mes tjerash se nëse ky akt i Serbisë nuk do të ndëshkohet, Serbia do ta përsëris atë.
“Është e qartë se sulmi terrorist në Banjskë në Zveçan kërcënoi integritetin tonë territorial, sovranitetin shtetëror dhe sigurinë kombëtare. Gjithashtu, sulmi terrorist nxori në pah vështirësitë, si dhe nevojën për bashkëpunim më të madh ndërkombëtar në ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit me Serbinë. Pra, nevoja për ndëshkim të hapur – dhe atë me gjuhë të qartë dhe të përshtatshme – si dhe kërkesa e shprehur e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë”, ka shtuar Kurti.
“Po e përsëris se provat e mbledhura gjatë hetimeve të kryera tregojnë për përfshirjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Serbisë në këtë akt agresioni kundër Republikës së Kosovës. Për këtë Serbia duhet të sanksionohet dhe ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse edhe ky akt mbetet i pandëshkuar, Serbia do ta përsërisë krimin”, ka thënë ai.