Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti në takim ish-Presidentin e Republikës së Kroacisë, Stipe Mesiq dhe ish-Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, të cilët i falënderoi për vizitën dhe për angazhimin e përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën.
Kryeministri Kurti, duke folur për qeverisjen rreth njëvjeçare tha se Kosova prin në rajon për menaxhimin e mirë të pandemisë, me vaksinimin e tashmë dy të tretës së popullatës së rritur.
Sipas komuniakatës, Kurti i ka joftuar mysafirët për rezultatet e shënuara në ekonomi: rritjen ekonomike prej 9.9 për qind, rritjen e të hyrave doganore për mbi një të tretën, krahasuar me vitin paraprak, transmeton telegrafi, përcjell FolDrejt.com.
“Ndërsa eksportet janë rritur me 66 për qind, të hyrat buxhetore janë rritur për 30 për qind, e investimet e huaja për 53 për qind”, tha Kurti.
Dy ish-presidentët e përgëzuan kryeministrin Kurti për detyrën dhe sukseset në qeverisjen e deritanishme.
Ata shprehën besimin që ai do ta vazhdojë ta kryejë me përgjegjësi e kompetencë detyrën që ia kanë dhënë qytetarët.
Ish-presidenti Topi theksoi nevojën për më shumë bashkëpunim rajonal dhe koordinim më të mirë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, sidomos me institucionet e Bashkimit Evropian, përfshirë këtu çështjen e liberalizimit të vizave.
Ish-presidenti kroat, Mesiq, tha se duhet angazhim i shtuar në rrafshin ndërkombëtar, sepse siç tha ai, Serbia po vazhdon fushatat lobuese për çnjohjen e Kosovës.
Lidhur me dialogun me Serbinë, Kurti tha se është proces që duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.