Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se janë duke u përgatitur që të ketë zgjedhje të parakohshme në veri, raporton AA, transmeton Fol Drejt.
Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, tha se janë të interesuar që zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore të mbahen sa më parë.
Ai tha se nuk mund të ketë zgjedhje të reja në veri pa deeskalimin e situatës atje, derisa për deeskalim ai tha se duhet të zbatohet dakordimi midis zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe përfaqësuesit të BE-së, Miroslav Lajçak, i arritur në Bratisllavë më 3 qershor.
“Ne jemi duke u përgatitur që të ketë zgjedhje të parakohshme në veri të Kosovës. Ndërkaq, për këto masa që janë marrë ndaj neve të cilat janë quajtur edhe të përkohshme edhe të kthyeshme, natyrisht që presim që ato të hiqen sa më parë dhe është e logjikshme që kjo do të ndodhë paraprakisht. Pra, nuk bëhet fjalë për kushtëzime por rendin logjik të gjërave që duhet ta ketë si hap të parë zbatimin e dakordimit ndërmjet Bislimit dhe Lajçakut”, theksoi Kurti.
Ai tha institucionet duhet të sigurohen paraprakisht që procesi i shpalljes së zgjedhjeve të reja lokale në veri të jetë i pasfidueshëm në kuptimin legal dhe juridik.
Tutje, Kurti përmendi edhe potencialin për ri-eskalim të situatës në veri, i cili tha se nuk varet nga institucionet kosovare të cilat “nuk kontribuojnë asnjëherë për eskalim, por adresa e tyre është tek Beogradi zyrtar”.
Në konferencë, kryeminstri Kurti po ashtu i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar të jetë më i zëshëm për të dënuar trysninë e Beogradit ndaj serbëve që po integrohen në Kosovë, derisa ka përgëzuar policët e rinj të komuniteteve joshumicë që së fundmi janë bërë pjesë e Policisë së Kosovë në veri, veçanërisht 46 policët nga komuniteti serb.