Kryeministri Kurti ka komentuar rreth vendimit të ri që mori sot Qeveria e Kosovës për çështjen e targave.
Ai në një konferencë për media, tha se ka qenë fushata agresive dhe kriminale e ardhur nga Serbia në Kosovë që ka ndikuar që vendimi për targa të mos shtyhet, por siç ka thënë ai të sekuencohet.
“Por, jemi të vetëdijshëm që edhe ka një fushatë agresive e kriminale që vjen nga Serbia kundër serbëve të Kosovës, e të gjitha këto na kenë bërë të mendojmë se më së miri është që zbatimin e vendimit kurrsesi të mos e shtyjmë por ta sekuencojmë atë”, është shprehur kryeministri Kurti.
Ai bëri me dije se vendimi për targat nuk ka ndryshuar dhe se do të fillojë nga 1 nëntori, por me sekuencializim.
“Konkretisht, në tri javët e para të muajit të ardhshëm, nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor të gjithë ata që kanë targa ilegale do t’u shqiptohet qortimi”.
“Më pastaj, nga data 21 nëntor për 2 muaj nuk do të ketë vetëm qortim por do të ketë gjobë, pra 21 nëntori deri më 21 janar 2023 dhe më pastaj prej 21 janarit 2023 deri më 21 prill, për 3 muaj është e mundshme vetëm me targa provuese por jo më me targat “KM””.
“Ajo që është më e rëndësishmja tash është që në 3 javët që fillojnë të martën do të ketë qortime për ato targat ilegale në Kosovë, prandaj që të mos ketë qortime, as gjoba, ne i ftojmë të gjithë qytetarët që kanë aso targa që edhe të mos marrin gjoba e qortime por edhe të vazhdojnë të përfitojnë edhe nga mundësia që ngelet edhe më tej sa i përket lehtësimeve tatimore. Kjo do të vazhdojë deri më 31 mars të vitit 2023” – ka thënë kryeministri Kurti./FolDrejt/