I shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u takua me Presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, transmeton Fol Drejt.
Me Presidentin Sassoli, kryeministri Kurti bisedoi për reformat dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për angazhimin e Qeverisë në përmbushjen e agjendës së reformave evropiane që e afrojnë Kosovën me Bashkimin Evropian. Në njërën anë legjitimiteti dhe besueshmëria e lartë ndaj institucioneve dhe në anën tjetër ekzekutimi i Pakos së Ringjalljes së Ekonomisë ka ndikuar po ashtu në rritjen ekonomike në vend bashkë me rritjen e eksportit, investimeve direkte dhe të hyrave tatimore, veçoi kryeministri Kurti.
Ndër të tjerash, ai tha se i është mirënjohës rolit avokues dhe qëndrimit pozitiv të Parlamentit Evropian në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën dhe monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë si dhe shprehu kërkesën që Parlamenti Evropian të vazhdojë edhe më tej thirrjen për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse./FolDrejt/