Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kritikuar Presidentin Hashim Thaçi dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që nuk po reagojnë kur po arrestohen veteranët e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës nga ana e EULEX-it.
Kurti tha se i vetmi subjekt politik që i mbron veteranët është Lëvizja Vetëvendosje. “Thaçi me LDK-në e bënë Gjykatën Speciale realitet në Kosovë – e futën në Kushtetutë. Sot nuk mund ta ndalim këtë gjykatë”.
“Unë në Parlament kam thënë se do t’i mbrojmë pjesëtarët e UÇK-së. Kush po i mbron tani ata – askush nuk po çel gojën. Kur po arrestohen, krerët e institucioneve po heshtin… Veteranët e luftës duhet ta kenë të qartë se i vetmi subjekt që i mbron është VV. PDK nuk i mbron se e ka hallin e pasurimit. Vetëm VV i mbron, është subjekti më patriotik që e çon Kosovën drejt bashkimit me Shqipërinë dhe BE-në”, tha Kurti në një mbledhje virtuale me Këshillin e Përgjithshëm të Vetëvendosjes.
Sipas tij, zgjidhja për t’i shmangur rreziqet që i kanosen Kosovës nga Qeveria Hoti, janë zgjedhjet.
“Zgjidhja janë zgjedhjet dhe do të ketë shumë shpejt sepse kjo qeveri nuk ka fuqi as t’i miratojë ligjet në Kuvend”.
“LDK i hoqi vijat e kuqe për PDK-në – ky është një gjest qesharak. Po edhe sikur të bëhen të dyja bashkë, ne do t’i mundim”.
“Gjatë katër muajve ne treguam se dimë, duam dhe mundemi, qytetarët e panë këtë dhe e vlerësuan. Le të punojmë sa më fort dhe të bëhemi gati për një fitore”, tha ai.
Kurti ka akuzuar LDK-në dhe PDK-në se po u frikësohen zgjedhjeve të reja në nivel të Kosovës por edhe nëpër komuna. Ka thënë se fakt për këtë është edhe mungesa e zgjedhjeve në Podujevë.
“Po frikësohen sepse ka ardhur koha e Vetëvendosjes”, ka thënë Kurti.