Albin Kurti është rizgjedhur kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje!, shkruan Fol Drejt.
Atij i është besuar drejtimi i partisë edhe për një mandat tjetër katër vjeçar.
Në zgjedhjet e brendshme që mbajti dje (25 shtator 2022) ky subjekt, Kurti arriti të marrë 98,60% të votave.
Kundër tij votuan 0,89%, ndërsa 0,51% abstenuan. Kështu është bërë e ditur në një njoftim të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Përgjatë javëve në vijim, procesi do të vazhdojë me zgjedhjen e kryesive të qendrave, e do të përfundojë në fund të muajit Tetor me zgjedhjen e kryesisë së LVV në mbledhjen konstituive të Këshillit të Përgjithshëm. Në këtë proces të gjatë janë strukturuar gjithsej 485 pika në 29 qendra të Lëvizjes Vetëvendosje. Në këto zgjedhje për herë të parë u votua edhe për strukturat e organizatës Gratë për Vetëvendosje dhe Rinia për Vetëvendosje”, thuhet në njoftim.
Albulena Haxhiu do të jetë kryetare e Forumit të Gruas, ndërkaq Behar Jashari i të rinjve të Vetëvendosjes./FolDrejt/