Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur riafirmimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, përkushtimin e qartë për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal nga Ministrat për Çështje Evropiane të Trekëndëshit të Werimar-it.
Franca, Gjermania dhe Polonia kanë lëshuar të premten një deklaratë të përbashkët ku thanë se mbështesin plotësisht BE-në që udhëhoqi dialogun Kosovë-Serbi dhe kanë theksuar nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të avancojnë në rrugët e tyre respektive evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon.
“Ne bëjmë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendet tona janë të përkushtuara fuqishëm ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor; ne theksojmë rëndësinë e zbatimit të vendimit historik nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të krijuar një treg të përbashkët rajonal”, thuhet në deklaratën e këtyre tri shteteve, të njohura po ashtu si “Trekëndëshi i Weimar-it”.
Shtetet janë pajtuar për një vizitë në rajonin e Ballkanit.
Përmes një shkrimi në Twitter, Kurti ka thënë se “pret me padurim vizitën e tyre të përbashkët”./21Media