Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në lidhje me konkursin për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.
Ai tha se, në parim, Kosovës i nevojitet një prokurori aktive, që lufton krimin e organizuar, krimet e luftës e korrupsionin.
“Ajo çka mund të them, në parim, është se na nevojitet një prokurori aktive, që lufton krimin e organizuar, krimet e luftës, korrupsionin, në mënyrë që shteti i Kosovës të bëhet shtet i së drejtës”, është shprehur Kurti në konferencë për media, njofton Klankosova.tv.
Më tej, Kurti tha se pozita e Kryeprokurorit të Shtetit është pozitë tejet e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, si shtet i së drejtës.
Kujtojmë se sot ka përfunduar afati për aplikim në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, ku kanë aplikuar gjashtë kandidatë, përcjell Klankosova.tv.