Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përkujtoi sot Masakrën e Bukoshit, në të cilën 24 vjet më parë u vranë 25 burra dhe djem të rinj.
Për këtë ai reagoi përmes një postimi në Facebook, përcjell Fol Drejt.
“Më 3 maj 1999 oborri i shkollës në Bukosh u mbulua me gjak. 25 burra dhe djem të rinj shqiptarë u pushkatuan. Forcat policore të Serbisë i vranë ata, vetëm pse ishin shqiptarë.
I ekzekutuan pasi i ndanë nga kolona e banorëve të fshatrave të Suharekës, që i kishin dëbuar nga shtëpitë e tyre. Dëbimi, vrasja dhe zhdukja me forcë e shqiptarëve ishte pjesë e projektit gjenocidal të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve, “Patkoi”.
Kriminelët e luftës duhet nxjerrur para drejtësisë. Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe veprimet gjenocidale të kryera në Kosovë.
Republika e Kosovës nuk mund të falë e as të harrojë.
Në përvjetorin e 24-të, përkujtojmë martirët e Masakrës së Bukoshit. Lavdi!”, u shpreh Kurti./FolDrejt/