Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme udhëtoi për në Londër.
Kurti, mbajti sot një takim me Oksford Union, ku edhe u shpreh rreth ideologjisë së majtë dhe sfidave gjatë punës së tij, transmeton Fol Drejt.
Ky është fjalimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Oksford Union:
“Të nderuar anëtarë të Oxford Union,
Të dashur anëtarë dhe mysafirë të komunitetit, të nderuar akademik të Oxfordit,
Zonja dhe zotërinj,
Është e vështirë të hysh në këtë dhomë debati dhe të mos e ndjesh peshën e historisë. Përgjatë viteve, Oxford Union është shfaqur si një ndër sheshet më të rëndësishme në botë. Duke marrë parasysh historinë e vjetër me shekuj dhe prestigjin e tij, kështu duhet të jetë. Në botën tonë të sferave të fragmentuara publike dhe eko dhomave virtuale, forumet globale publike si ky janë më të rëndësishëm se kurrë. Duke e mbrojtur dhe duke u përkujdesur për këtë institucion, ju po na bëni shërbim të gjithë neve. Prandaj, faleminderit që po mbani të gjallë traditën tuaj të respektuar, dhe faleminderit që më ftuat të jem sot këtu me ju. Jam shumë i nderuar me ftesën tuaj.
Jam ftuar t’ju flas këtu si politikan i së majtës demokratike dhe si kryeministër i Republikës së Kosovës, shtetit më të ri në Evropë. Secili nga këto identitete, kur merret në konsideratë ndaras, sjellë shumë sfida të veta. Të jesh sot lider i majtë kudo në botë, qoftë edhe në vendet e mirë etabluara dhe të pasura është mjaftueshëm e vështirë. Për më tepër, të jesh Kryeministër kosovar, pa marrë parasysh bindjet etike politike të dikujt, nuk është as punë e lehtë. Dikush mund ta imagjinojë se çfarë ndodhë kur kombinohen këto dy identitete, siç ndodhin rëndom në personalitetin tim: vështirësitë shtohen mjaft shpejtë. Këtu dua të përqendrohem në dy sfida kyçe me të cilat përballet një agjendë socialdemokrate transformuese në një vend si Kosova – e para, ambient i armiqësuar gjeopolitik dhe e dyta, kapacitete të brishta shtetërore. Do t’i them disa fjalë mbi natyrën e këtyre dy sfidave dhe të diskutoj shkurt sesi partia jonë politike (Lëvizja Vetëvendosje) është marrë me to në të kaluarën, dhe se si qeveria ime po përpiqet t’i adresojë sot ato. Mund të jenë disa mësime më të përgjithshme për të majtën demokratike në përgjithësi, posaçërisht në këto kohë të trazuara të përhapjes së gjerë të prapakthimit demokratik dhe që nga 24 shkurti i këtij viti, rikthimi i luftës në kontinentin tonë.
Ballkani është i njohur figurativisht si fuqi baruti e Evropës. Një thënie e njohur që shpesh i atribuohet një prej kryeministrave më emblematikë, Sir Winston Churchill, thotë që Ballkani prodhon më shumë histori se sa mund të konsumojë. Padyshim, një koment i tillë nuk është pa dozën e rëndë të supremacisë kulturore eurocentrike. Siç dihet mirë, Ballkani tradicionalisht ka shërbyer si Orient i brendshëm i Evropës – një gadishull në periferinë juglindore të kontinentit, i banuar nga popuj gjysmë barbarë, me tradita të çuditshme dhe të prapambetura, të prirë për konflikte të paarsyeshme etnike. Për më tepër, paraqitja e Ballkanit si fuqi baruti e Evropës, tenton të lë në hije një fakt tjetër kyç, që kjo lloj fuqie rrallëherë ishte vetëm për fajin tonë. Fuqitë e mëdha të Evropës rrallëherë kanë qenë soditës të pafajshëm në çështjet e Ballkanit.
Sido që të jetë, thelbi i së vërtetës që përmban thënia e Churchillit është se gjeopolitika priret të jetë brutale në pjesën tonë të botës. Për pjesën më të madhe të historisë së tij, Ballkani ka qenë në udhëkryqin e vijave të betejës gjeopolitike, një lloj kufiri ku perandoritë perëndimore dhe lindore janë përplasur ashpër me njëra-tjetrën. Në historinë moderne, një brutalitet i tillë është ndjerë veçanërisht në kurrizin e shqiptarëve në përgjithësi dhe të shqiptarëve të Kosovës në veçanti. Për pjesën më të madhe të shekullit të njëzetë, fati që e priste një aktivist shqiptar të Kosovës që kërkonte të drejta civile dhe politike për popullin e tij ishte ose vrasja ose burgimi i përjetshëm. Megjithëse shqiptarët përbënin vetëm rreth 13 për qind të popullsisë së Jugosllavisë, ata përfaqësonin 80 për qind të të burgosurve politikë të saj – Adem Demaçi, një nga të burgosurit politikë më të famshëm në Evropë dhe më gjerë, kaloi 28 vjet në burg. Këto fakte do të duhej t’i bënin të mendojnë dy herë shumë anëtarë të shquar të së majtës ndërkombëtare, të cilët edhe sot e kësaj dite e shohin Jugosllavinë komuniste si një parajsë idilike socialiste, ose siç e shprehin disa prej tyre në një letër drejtuar Titos në 1974, “një anëtar i respektuar i familjes së kombeve progresive/përparimtare dhe paqedashëse.”
Një mjedis gjeopolitik armiqësor priret të shkaktojë një dëm të rëndë në imagjinatën politike progresive. Zërat e majtë (progresivë) serb që bëjnë thirrje për njohjen e së drejtës për vetëvendosje të popullit shqiptar kanë qenë tradicionalisht si zëra që nuk dëgjohen. Socialdemokrati i fillimit të shekullit të njëzetë, Dimitrije Tucović, dënoi politikat imperialiste të Serbisë ndaj popullit shqiptar dhe i bëri thirrje Beogradit që të njohë të drejtën e tyre për vetëvendosje. Edhe pse mjaft margjinalë në politikën serbe, zërat social-demokratë si ai i Tucović-it, apo ato liberale progresive si ai i Milan Piroćanac-it të arsimuar nga perëndimi (shek. 19), kanë qenë vërtet shumë të çmuar. Fatkeqësisht, sot ata praktikisht nuk kanë trashëgimtarë politikë në skenën politike të Serbisë. Megjithatë, derisa politikanë të tillë të bëhen më të shumtë dhe me ndikim në jetën politike serbe, është e vështirë të shihet se si mund të ketë një paqe të drejtë dhe afatgjatë midis dy vendeve tona. Presidenti aktual i Serbisë refuzon të pranojë se masakra e Reçakut (15 janar 1999) ka ndodhur ndonjëherë, e lëre më të kërkojë falje për të. Për më tepër, ai nuk po pranon as të nënshkruajë një pakt mossulmimi midis dy vendeve tona, diçka që ia propozova një vit më parë si hap të parë drejt ndërtimit të mirëbesimit.
Ndërsa një ndryshim progresiv në politikën serbe është diçka që vetëm populli serb mund ta sjellë, ka mënyra se si mund ta ndihmojmë atë nga jashtë. Si kryeministër i Kosovës, unë mund ta ndihmoj një ndryshim të tillë duke dëshmuar se republika jonë mund të lulëzojë pavarësisht nga mosnjohja e pavarësisë sonë nga Serbia. Një Kosovë e fortë dhe prosperuese do ta ndihmojë popullin serb dhe elitën e tij politike të kuptojë se një politikë miqësie ndaj nesh u shërben interesave të tyre shumë më mirë. Kjo është arsyeja pse qeveria ime po fokusohet në zhvillimin e ekonomisë sonë, reformimin e sistemit tonë të drejtësisë dhe forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse. Për të qenë i sigurt, unë mbetem i përkushtuar ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja me lidershipin aktual të Serbisë. Njohja nga Serbia është gjithmonë e mirëseardhur dhe sa më shpejt të vijë aq më mirë për të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor. Por, Republika e Kosovës sigurisht që mund të jetojë dhe të lulëzojë edhe pa të.
Në anën tjetër, vendet perëndimore duhet të bëjnë gjithashtu pjesën e tyre për të ndihmuar forcat social- dhe liberal-demokratike në politikën dhe shoqërinë civile serbe. Në këtë aspekt, më duket se në dekadat e fundit strategjia perëndimore ka qenë disi e gabuar. Megjithëse mbështetja perëndimore që ndihmoi në rrëzimin e Millosheviçit në tetor të vitit 2000, me të drejtë përshëndetet si një histori suksesi, nga këndvështrimi i strategjisë afatgjatë perëndimore, ajo ka qenë më shumë një mallkim sesa një bekim. Kjo për shkak se ka inkurajuar aleatët perëndimorë të forcave progresive serbe që të përqendrojnë ndihmën e tyre në nisma afatshkurtra dhe të bazuara në projekte. Unë besoj se kjo perspektivë afatshkurtër duhet të braktiset në favor të një qasjeje më të qëndrueshme dhe afatgjatë të përqendruar te vlerat dhe jo te projektet.
Kur themeluam “Lëvizjen VETËVENDOSJE!” në qershor të vitit 2005, Kosova ishte ende një territor gjoja i padefinuar i drejtuar në pjesën më të madhe nga një administratë ndërkombëtare jollogaridhënëse , i ashtuquajturi Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (i njohur ndryshe si UNMIK). Them “në pjesën më të madhe” për një arsye të fortë : pjesa më veriore e territorit drejtohej ilegalisht nga strukturat paralele të Serbisë.
Pas përfundimit të luftës, ato struktura kishin mbajtur kontrollin e tyre në skajin verior të vendit falë spastrimit brutal etnik të shqiptarëve dhe disa joserbëve të tjerë nga qyteti i Mitrovicës dhe rrethinat e tij. Në këtë kontekst, bashkësia ndërkombëtare po i thoshte popullit të Kosovës se për të fituar të drejtën e tyre për një zgjidhje përfundimtare të statusit të tyre politik, ata fillimisht duhej të përmbushin disa standarde. Ashtu si zotërinjtë kolonialë të dikurshëm, ata na thoshin se nuk ishim ende të pjekur për liri. Kjo qasje ndërkombëtare u shpreh formularisht si “standarde para statusit”. Përveç kësaj, ata do të na thoshin se statusi final politik i vendit tonë duhej të negociohej me Serbinë, një shtet me histori të dëshmuar të krimeve të tmerrshme kundër shqiptarëve të Kosovës, dhe një shtet kundër të cilit së fundmi kishim bërë një luftë të drejtë çlirimtare.
Në këto rrethana mbizotëruese, themelimi i një lëvizjeje në bazë social-demokratike dhe anti-koloniale ishte, për të folur me Eqbal Ahmadin, “si mbjellja e farave gjatë një stuhie”; siç ka thënë ai, “herë pas here, ato japin rendiment; shpeshherë nuk japin.” Artikulimi i një kritike social-demokratike dhe antikoloniale të status quo-së kosovare të asaj kohe na vuri përballë tre aktorëve dhe interesave të fuqishëm njëherësh: para së gjithash, një imperializëm serb të papenduar me qendër në Beograd e që ende ushqen synime gjenocidale kundër nesh; së dyti, një administratë ndërkombëtare jollogaridhënëse që drejtonte Kosovën në një mënyrë neo-koloniale; dhe së treti, një klasë politike miope (dhe shpeshherë) të korruptuar kosovare në Prishtinë, qëllimi kryesor i së cilës ishte mbijetesa e saj politike përmes marrëveshjeve të dëmshme me këto dy qendra de facto të pushtetit.
Pozicioni i Serbisë në negociatat për statusin final të Kosovës ishte i përmbledhur në formulën “diçka më shumë se autonomi por më pak se pavarësi”. Nga ana tjetër, formula e elitës politike kosovare për statusin final ishte “definitivisht më shumë se autonomi dhe asgjë më pak se pavarësi”. Përballë këtyre dy formulave kundërshtuese, zgjidhje kompromisi e bashkësisë ndërkombëtare po shkonte në drejtimin e “pavarësisë së mbikëqyrur me autonomi shumë të reduktuar”. Të tre formulave ne iu kundërvyem me frazën tonë, që ishte, “jo negociata, vetëvendosje!” Me fjalë të tjera, ne kërkuam që populli i Kosovës të vendosë për fatin e vet politik përmes mekanizmit demokratik të referendumit. Pavarësisht mosmarrëveshjeve të tyre, të tre palët negociuese ishin të bashkuara në refuzimin e kësaj zgjidhjeje. Perspektiva politike e hapur nga ndërhyrja jonë kritike zbuloi mosmarrëveshjet e tyre për atë që ishin: të vogla në rastin më të mirë, të rreme në rastin më të keq.
Ndërhyrja jonë kritike në realitetin politik kosovar të asaj kohe mund të konsiderohet si populiste. Në të vërtetë, kjo etiketë na u vu shpesh në mënyrë pezhorative nga kundërshtarët politikë dhe komentuesit e medias. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se edhe tipari ynë populist ishte një tipar demokratik dhe gjithëpërfshirës, jo ekskluziv i bazuar në gjak dhe tokë. Që në fillim e kemi bërë të qartë se lufta jonë nuk ka qenë e drejtuar kundër serbëve të Kosovës apo ndaj ndonjë pakice tjetër për këtë çështje. Përkundrazi, ne kemi theksuar shpesh se Kosova është e të gjithë atyre që e konsiderojnë si vendlindjen e tyre, pavarësisht nga përkatësia etnike. Në dokumentet dhe shkrimet tona, ne mbrojtëm të drejtën e kthimit të serbëve të Kosovës – të gjithë atyre që nuk kishin kryer krime lufte ose që nuk kishin shërbyer dhe përfituar nga regjimi i Serbisë.
Për më tepër, ne gjithmonë do të nënvizonim të përbashkëtat që ndajnë shqiptarët e Kosovës dhe serbët e Kosovës. Për shembull, ne do të theksonim se si bashkëqytetarë ata përballen me probleme sociale shumë të ngjashme: varfëria, papunësia, mungesa e qasjes në kujdes shëndetësor dhe arsim cilësor e kështu me radhë. Probleme të tilla të përbashkëta sociale janë shumë më të rëndësishme se identitetet e tyre të ndryshme etnike. Serbët e Kosovës që duan të jetojnë në paqe dhe prosperitet me bashkëqytetarët shqiptarë e kanë vlerësuar gjithmonë këtë te lëvizja jonë politike. Ata e kuptuan herët se nacionalizmi i perceptuar i lëvizjes sonë ishte i drejtuar kundër projektit kolonialist të Serbisë, jo kundër serbëve të Kosovës. Prandaj sot më trajtojnë si kryeministër të tyre. Marr rregullisht letra dhe peticione prej tyre dhe ata takohen me mua për të diskutuar nevojat dhe interesat e tyre si anëtarë të shoqërisë sonë. Vlen të nënvizohet se ata e bëjnë këtë pavarësisht kërcënimeve shumë serioze që marrin nga Beogradi.
Mendoj se këtu ka një mësim më të gjerë për progresistët. Sot populizmi është kthyer në një term abuzimi, por duhet të kujtojmë se një lloj populizmi është i qenësishëm në vetë idenë e demokracisë. Parimi më themelor i demokracisë përfaqësuese moderne, domethënë, “një person, një votë”, ka karakter populist. Deklarata e famshme e Abraham Lincoln “Qeveria e popullit, nga populli, për popullin” është gjithashtu populiste. Në të njëjtin kuptim, fraza që të mbetet në mendje e lëvizjes sonë “jo negociata, vetëvendosje!” mund të shihej edhe si populiste. Por ky është lloji i populizmit që ne demokratët nuk duhet ta braktisim kurrë. Përndryshe, ne rrezikojmë të tjetërsojmë njerëzit dhe autoritarët e krahut të djathtë janë shumë të lumtur të ndërhyjnë si zëdhënësit e tyre.
Me fjalë të tjera, në vend që të shkojmë në ekstrem, duhet të insistojmë në një dallim kritik midis populizmit progresiv, gjithëpërfshirës, nga njëra anë, dhe populizmit ekskluziv, të gjakut dhe tokës, nga ana tjetër. Populizmi ynë gjithëpërfshirës duhet të afirmojë të drejtën e popullit për vetëqeverisje duke hedhur poshtë konceptin e popullit si një totalitet organik i bashkuar nga lidhjet e gjakut. Tërësisë organike të populistëve të djathtë, ne duhet t’i kundërvëjmë analizën klasore. Vetëm analiza klasore mund të ekspozojë karakterin iluzor të të gjitha pretendimeve ndaj totalitetit organik. Për më tepër, vetëm analiza klasore mund të zbulojë se sa të përbashkëta kanë, le të themi, një nënë beqare e papunë serbe në komunën veriore të Mitrovicës dhe një nënë beqare shqiptare e papunë në komunën jugore të Mitrovicës apo kudo tjetër në Kosovë.
Kam kandiduar për këtë detyrë me dy premtime kryesore: punësim dhe drejtësi. Që nga marrja e pushtetit/detyrës mbi një vit më parë, këto dy fusha politike kanë qenë në qendër të vëmendjes sime si Kryeministër. Përveçse duhet të shkojë kundër thelbit të dogmës neoliberale, në kontekstin kosovar një agjendë reformash social-demokratike përballet me disa sfida shumë specifike. Ato kanë të bëjnë kryesisht me burimet e kufizuara të një ekonomie në zhvillim dhe kapacitetet e kufizuara të një shteti të ri.
Ne jemi një nga vendet më të varfra në Evropë. Vitet e aparteidit, luftës dhe keqmenaxhimit të burimeve tona ekonomike të pasluftës kanë lënë gjurmët e tyre të pagabueshme në ekonominë e vendit. Si rezultat, një program ambicioz social-demokratik i zhvillimit ekonomik i bazuar në paradigmën e shtetit zhvillimor duhet të fillojë me burime mjaft të pakta. Përveç kësaj, burokracia jonë shtetërore është e re dhe për këtë arsye pa përvojë. Falë praktikave të dobëta të rekrutimit të qeverive të mëparshme, ka goxha shumë paaftësi edhe në burokracinë tone gjithashtu. Sidoqoftë, ka mënyra për t’i zgjidhur këto probleme. Qeveria ime ka ndjekur disa strategji të ndryshme për t’i trajtuar ato. Këtu dua të përmend shkurtimisht vetëm njërën prej tyre, përkatësisht përfshirjen e komunitetit tonë në mërgatë si partner në zhvillimin e vendit tonë.
Kosova ka një mërgatë të madhe dhe domethënëse në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara. Pa ndihmën e tyre, as rezistenca jonë paqësore dhe as lufta jonë e armatosur kundër regjimit të Millosheviqit nuk do të ishte e mundur. Që nga fundi i luftës, remitancat e tyre bujare kanë ndihmuar në lehtësimin e varfërisë. Duke vepruar kështu, ata na kanë ndihmuar të blejmë paqen e çmuar sociale. Megjithatë, remitancat janë një mjet mbijetese, jo një mjet zhvillimi ekonomik. Ajo që qeveria ime po përpiqet të bëjë është të mobilizojë komunitetin tonë në mërgatë si partner në zhvillimin e vendit tonë. Kjo do të thotë të përdorim burimet e tyre njerëzore si dhe kapitalin financiar. Ekspertiza e tyre mund të na ndihmojë të reformojmë burokracinë tonë, sistemet tona arsimore dhe të kujdesit shëndetësor dhe ekonominë tonë.
Në vend që burimet e tyre financiare të shërbejnë thjesht si ndihmë humanitare, ne po përpiqemi të krijojmë mundësi për investimin e tyre në ndërmarrje fitimprurëse që do të krijonin vende pune për të rinjtë tanë. Ky partneritet për zhvillimin ekonomik po fillon dalëngadalë të formësohet. Për shembull, qeveria jonë tashmë ka filluar të shfrytëzojë ekspertizën e profesionistëve tanë të mërgatës për qëllime të hartimit të ligjeve dhe politikave themelore që na duhen për të filluar zbatimin e programit tonë ekonomik. Përveç kësaj, qeveria jonë tani është duke emetuar bono për diasporën tonë. Bono të tilla na ndihmojnë të mbledhim fonde shtesë, duke ofruar gjithashtu një mundësi të sigurt investimi për bashkatdhetarët tanë jashtë vendit. Sipas mendimit tim, ky ndryshim paradigmatik në marrëdhëniet midis vendit të origjinës dhe mërgatës – domethënë, nga ndihma humanitare në partneritet për zhvillim – është një ndryshim i madh për vendet në zhvillim që përballen me rrethana të ngjashme.
Edhe pse është shumë herët për të gjykuar efektet neto afatgjata të reformave të brendshme të qeverisë sime, treguesit e hershëm flasin mjaftueshëm në favorin tonë. Pavarësisht ndikimeve negative të pandemisë globale COVID-19, vitin e kaluar ekonomia jonë gëzoi një rritje dyshifrore prej 10.53% të PBB-së. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj rritjeje u ushqye nga besimi më i madh i njerëzve në qeverinë tonë. Një besim i tillë përkthehet në konsum më të madh, investime më të mëdha dhe të ardhura më të mëdha tatimore. Gjatë vitit të kaluar kemi pasur një rritje prej 22 për qind të investimeve të huaja direkte, ndërsa eksportet janë rritur 83 për qind. Pa bërë asnjë ndryshim në politikën fiskale, të ardhurat tona tatimore u rritën 34 për qind.
Krahas performancës ekonomike, ka pasur edhe ndryshime pozitive në renditjen e vendit tonë në indekset me reputacion ndërkombëtar që ndjekin sundimin e ligjit, lirinë e shtypit dhe transparencën. Për shembull, vitin e kaluar Projekti Botëror i Drejtësisë na renditi të parët në Ballkan në Indeksin e tij të Sundimit të Ligjit. Ne kemi përmirësuar renditjen tonë me 17 vende si në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit (të lëshuar nga Reporterët pa Kufij) dhe në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International. Me fjalë të tjera, progresi ynë ekonomik po ecën paralelisht me një proces të thellimit demokratik, edhe pse historia na mëson se nuk ka asnjë lidhje të nevojshme midis të dyjave. Për më tepër, sot të gjithë jemi dëshmitarë sesi problemet ekonomike po çojnë në prapakthimin e demokracisë edhe në pjesë të Perëndimit të zhvilluar. Në këto rrethana, përvoja e fundit e Kosovës ofron një shembull pozitiv për të kundërtën dhe një fije shprese shumë të nevojshme.
Jetojmë në kohë të rrezikshme. Në vitin 2020, Buletini i Shkencëtarëve Atomikë përditësoi orën e tij të fundit të botës nga dy minuta në mesnatë në 100 sekonda në mesnatë – mesnata nënkupton një fatkeqësi përfundimtare për njerëzimin. Kjo është më afër mesnatës që ka qenë ndonjëherë që nga debutimi i saj në 1947. Në arsyetimin e tyre për përditësimin, grupi i shkencëtarëve dhe ekspertëve të njohur përmend mosbesimin në rritje dhe mungesën e bashkëpunimit në politikën ndërkombëtare si një faktor kyç që rrit rrezikun nga kërcënime ekzistenciale të tilla si ndryshimet klimatike dhe lufta bërthamore.
Prapakthimi demokratik që po dëshmohet në mbarë botën po kontribuon shumë në një gjendje kaq të dhimbshme të politikës ndërkombëtare. Në këto rrethana kritike, mbrojtja e demokracisë merr një kuptim shumë më domethënës. Duke luftuar për ta mbrojtur atë, ne mbrojmë më shumë se një formë qeverisjeje: ne mbrojmë perspektivat për mbijetesë të denjë njerëzore. Prandaj, dëshpërimi nuk është diçka që mund ta përballojmë në këtë pikë. Udhëheqësit autoritarë të krahut të djathtë po bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin përtej kufijve ndërkombëtarë. Ne demokratët duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Baza morale është në anën tonë. Para se të bëhet tepër vonë, le të sigurohemi që ta kthejmë atë në një terren të lartë politik”./FolDrejt/