Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, po merr pjesë në Samitin Global të 8-të të “Open Government Partnership” që po mbahet në Estoni, shkruan Fol Drejt.
Ai ka shfrytëzuar këtë moment për ta sensibilizuar opinionin publik perëndimor pasi ka thënë se aleatët e Rusisë përmes dezinformimit po ndikojnë në procesin e dialogut, rrjedhimisht në normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Ai e ka takuar kryeministren Kaja Kallas, gjatë kohës që po mbahen punimet e Samitit të Partneritetit për Qeverisje të Hapur (OGP).
“Biseduam për situatën politike në vend, në rajon dhe kontributin që shteti ynë mund të jap si anëtar në OGP”, shkruan kryeministri në Facebook.
Sipas Kurtit në Kosovë, përpjekjet nga aleatët e Rusisë për të shtrembëruar të vërtetën, të kaluarën dhe të tashmen, “janë të dukshme”. Për më keq këto orvatje janë duke u intensifikuar, ka theksuar ai.
Përkundër vështirësive, sipas tij, vendi ynë është i përkushtuar në rrugëtimin e tij në procesin e integrimeve euro-atlantike./FolDrejt/