Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sot para deputetëve të Kuvendit të Kosovës në seancën plenare.
Kryeministri Kurti e fajësoi Serbinë për agresionin e nisur më 24 shtator, përcjell Fol Drejt.
Fjalimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Të dielën e 24 shtatorit përjetuam një sulm agresor të bandave kriminale e terroriste të Serbisë, jo vetëm ndaj Policisë së Kosovës, por ndaj shtetit e Republikës, rendit dhe sigurisë sonë.
Sulmi i orkestruar i bandave të maskuara kriminale e terroriste vrau zyrtarin tonë policor, rreshterin Afrim Bunjakun dhe plagosi një polic tjetër.
Ishte ditë e rëndë për vendin tonë dhe mbarë kombin tonë. Policisë së Kosovës do t’i mungojë një pjesëtar i përkushtuar i saj, ashtu siç do t’i mungojë edhe familjes së tij e shoqërisë sonë. Por, vrasja e tij u kthye në angazhim edhe më të shtuar në luftimin e bandave kriminale e terroriste dhe në fitore të betejës nga Policia e Kosovës. Terroristët ose janë vrarë, ose janë arrestuar, ose janë në ndjekje pasi që ikën.
Afrim Bunjaku është Heroi më i ri i Kosovës. I vetmi polic i cili u vra në këtë ballafaqim ishte ai që u vra në pritë, në orën 03:00 të mëngjesit, kur ishte natë dhe errësirë. Ndërkaq, me të zbardhur drita u pa se çfarëdo grupesh kriminale e terroriste nuk kanë kurrfarë shansa me Policinë e Kosovës.
Ata u vranë, u arrestuan ose po ndiqen sepse janë në ikje.
Të dielën në Banjskë të Zveçanit, kishte sulm terrorist dhe kriminal i cili cenoi integritetin territorial, sovranitetin shtetëror dhe sigurinë tonë kombëtare. Sulmuesit të cilët arritën të ikin duhet të ekstradohen, duhet të dorëzohen në organet e Republikës së Kosovës.
Organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada Veriore” duhet të shpallen organizata terroriste edhe nga shtetet tona mike, partnere, aleate ashtu siç bëri Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj me 29 qershor sivjet.
Për këtë akt të agresionit ndaj Kosovës, Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse kalon e pandëshkuar atëherë ajo do ta përsërisë krimin.
Armatimi ushtarak dhe trajnimet luftarake që i kishin profesionistët serbë, të cilët sulmuan në Banjskë të Zveçanit të dielën janë që të gjitha nga Serbia dhe të freskëta në kohë.
Më lejoni të tregoj për përshkrimin cilësor të armatimit të konfiskuar në Banjskë.
– M-80 Zolla është një sistem një përdorimësh, anti-tank i padirigjuar, prodhim i Serbisë. Prodhohet në fabrikën shtetërore Sloboda në Serbi. Kjo armë përdoret kundër automjeteve të blinduara dhe fortifikimeve. Predha mund të penetrojë çelikun deri në 30 centimetra, e distanca efektive është deri në 250 metra.
– Zastava M93 BGA (Mitraloz 30 mm) është armë automatike lansuese e granatave 30 milimetërshe, prodhim i Serbisë. Prodhohet në fabrikën shtetërore “Zastava Arms” në Kragujevc. Kjo armë përdoret kundër mjeteve të lehta të blinduara dhe ka distancë efektive deri në 1700 metra.
– Mina Kundër-Personale, kundër personave, përdorën kundër këmbësorisë dhe janë të dizajnuara të vrasin dhe dëmtojnë personelin gjatë lëvizjes në terren të caktuar.
– Predhat e mortajave (minahedhësve) 82mm dhe 62mm. Janë predha të standardit të vendeve të lindjes (ish vendeve socialiste). Nuk përdoren nga vendet e NATO-s. Mortaja si armë konsiderohet armë artilerie dhe përdoret për goditje në distanca të largëta (5-8 km).
– Eksploziv (plastik, tritol dhe dinamit) që përdoret për shkatërrimin e urave dhe infrastrukturës. Gjithashtu përdoret për punimin e mjeteve të ndryshme shpërthyese për shkatërrimin e personelit dhe mjeteve të blinduara.
– Tromblon për pushkë M70. Tromblonët janë granatë shpërthyese që vendoset në Armën automatike serbe M70 që ka synim goditjen e trupave të këmbësorisë/personelit.
– Zastava M84 (Mitraloz) është armë e këmbësorisë për eliminimin e personelit në distancë dhe mbulimin e trupave me armë të lehta. Kjo armë, pra, Zastava M84 është prodhim i Serbisë. Prodhohet në fabrikën shtetërore “Zastava Arms” në Kragujevc. Ka qitje efektive deri në 1000 metra.
– Zastava M70 (varianti serb i AK 47) është armë automatike individuale, prodhim i Serbisë. Prodhohet në fabrikën shtetërore “Zastava Arms” në Kragujevc. Ky M70 përdoret për asgjësimin e personelit dhe ka distancë efektive të qitjes deri në 410 metra.
– Zastava M76 (snajper) po ashtu i konfiskuar, është armë gjysëm-automatike për qitje në distancë të largëta sërish prodhim i Serbisë. Sërish nga fabrika shtetërore e tyre “Zastava Arms” në Kragujevc. Kjo armë ka efekt qitjeje deri në distancë 800 metra dhe përdoret për eliminimin e caqeve në distanca të largëta.
– Granatat e dorës M75, armë individuale që përdoret kundër personelit jashtë dhe brenda objekteve.
– Dronët që janë fluturake pa pilot që përdoren për vëzhgim dhe gjithashtu për sulme luftarake.
– Revole Zastava M70 – që përdoret si armë individuale për mbrojtje. Kjo armë me shurdhues përdoret për atentate.
Dhe pajisje të tjera si: dylbi, uniforma, çanta ushtarake, harta, telefonë, municione të ndryshme, kamera, antiplumbë, mjete të punës si telefona, detonatorë, shurdhues që gjithmonë kanë të bëjnë për eksplozivet që shpërthejnë, të cilat paraqesin pajisje individuale dhe ekipore të grupit terrorist e kriminal që shërbejnë zakonisht për aktivitete ushtarake.
Me fjalë të tjera i gjithë ky armatim i konfiskuar është prodhim i Serbisë, erdhi nga Serbia dhe ishte armatim aq i madh për nga lloji dhe sasia për një ushtri të tërë.
Prandaj, fajësimi i Serbisë është i paevitueshëm, i pashmangshëm, madje edhe për ata që nuk duan të shohin e të dëgjojnë.
Është e rëndësishme me këtë rast të theksohet që bëhet fjalë për një bandë kriminale dhe terroriste e cila nuk ishte bandë e kontrabandës dhe as qytetarë që i kanë kapur armët, por profesionistë me trajnime luftarake, dhe me së paku lloje të armatimeve që i përmenda këtu para jush e që e kanë origjinën nga Serbia.
Serbia ua dha pajisjet ushtarake, ua kreu trajnimet luftarake, dhe gjithashtu qëllimet politike e mbështetjen logjistike.
Por, ne të gjithë e dimë së bashku se kjo nuk ka filluar të dielën e 24 shtatorit. Në Leposaviq, na i kanë rrëmbyer 3 policë më 14 qershor. Kemi konfiskuar sasi të mëdha të armatimit në Zveçan edhe më 23 qershor në një automjet me targa të Beogradit që ishte pronë e hekurudhave të Serbisë. Edhe në një shtëpi në Zveçan sërish me 5 shtator. E, para kësaj kishim tri javë të 16 barrikadave në dhjetor të vitit të kaluar, sulme me 26 dhe 29 maj të këtij viti në Zveçan, që lanë me dhjetëra ushtarë të KFOR-it, policë të Kosovës e gazetarë të mediave të plagosur e të lënduar. E gjithë kjo tregon se kishim një kronikë të paralajmëruar të vrasjes së heroit tonë, Afrim Bunjaku më 24 shtator. Me këtë rast falënderojmë të gjitha shtetet që e dënuan ashpër këtë sulm terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit si pasojë e aktit agresiv të Serbisë dhe për mbështetjen që ato na e kanë dhënë neve.
I falënderoj edhe të gjithë qytetarët e Republikës, për solidaritetin me Policinë e Kosovës, me institucionet tona të shtetit. Ju falënderoj edhe juve deputetë të nderuar të Kuvendit, për kontributin tuaj duke qëndruar pranë qytetarëve dhe me qëndrime dënuese të qarta ndaj Serbisë në këto momente tejet të vështira por edhe të rëndësishme për Republikën tonë dhe të ardhmen tonë.
Lufta kundër krimit e terrorit të sponsorizuar nga Serbia vazhdon, dhe ajo do të përfundojë medoemos me fitoren e shtetit tonë të pavarur, Republikës së Kosovës, vlerave dhe interesave të saj, të qytetarëve të saj, të të gjitha komuniteteve të saj, pa dallim.
Ju falemnderit. Dhe, lavdi Afrim Bunjakut!
/FolDrejt/