Kryeministri Albin Kurti, gjatë ditës së sotme, është pritur në takim nga Paolo Gentiloni, Komisioner i Bashkimit Evropian për Çështjet Ekonomike dhe Financiare.
Kurti tha në takim se Republika e Kosovës mirëpriti paketën e zgjerimit të BE-së 2020, të lëshuar në tetor, veçanërisht Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Në takim u diskutua për ndikimin negativ të pandemisë COVID-19 në ekonomi dhe domosdoshmërinë për angazhim serioz për rigjenerim nga humbjet e shkaktuara.
Shefi i qeverisë kosovare theksoi përkushtimin për menaxhimin në mënyrë të përgjegjshme dhe të qëndrueshme të financave publike.
Ai e njoftoi Komisionerin Gentiloni për synimet e programit të Qeverisë në fushën e zhvillimit ekonomik dhe planet për përmirësimin e kornizës ligjore, si edhe të politikave për transformimin dixhital në shërbim të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
. Investimi në krijimin e vendeve të reja të punës mbetet prioritet i lartë i qeverisë, shtoi ai.