Nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës më 5, 6, dhe 7 mars mbahet manifestimi tradicional Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për 24 vjetorin e Epopesë së UÇK-së janë organizuar disa aktivitete.
Aktivitet kanë nisur në ora 11:00, me ceremoninë e Rreshtimit të Njësive Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ceremonia po mbahet në Kazermën “Adem Jashari”, Prishtinë.
Pas fjalës së presidentes së Republikës së Kosovës, ka folur kryeministri Kurti, i cili ka thënë se politika për të është angazhimi më i lartë për projektet kombëtare.
Kryeministri Kurti foli edhe për dialogun dhe kërkesën për marrëveshje finale, ku ka thënë se ne nuk ngutemi për të: “Ne duam paqe afatgjatë andaj nuk ngutemi e nuk vendosim data përfundimtare”, tha ai.
Ndër të tjera ai tha se vullneti dhe subjektiviteti është porosia e dëshmorëve dhe e familjes Jashari.
Kryeministri Kurti aty foli edhe për luftën në Ukrainë të cilën e ndërlidhi me luftën në Kosovë.
“Kështu ishte edhe në vendin tonë në luftën çlirimtare të viteve ’98 e ’99. Sot Ukraina mund ta kuptojë Kosovën, populli i Kosovës ishte pa shtet e pa ushtrri, por përsëri e gjeti vullnetin për liri”, tha Kurti, përcjell FolDrejt.