Kryeministri i vendit, Albin Kurti, dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, takuan ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, në ditën e tretë të Forumit Ekonomik të Delfit.
Duke e vlerësuar rolin e politikës së jashtme greke ndaj Kosovës, kryeministri Kurti tha se njohja e pavarësisë së Kosovës do t’i kontribuonte paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë, njofton Klankosova.tv.
Kurti theksoi rëndësinë që ka përkrahja e Greqisë, si vend i rëndësishëm i rajonit, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ministri Dendias e përgëzoi kryeministrin Kurti për të arriturat dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e qeverisë greke për të shtuar bashkëpunimin ekonomik dhe në fusha të tjera.
Ai tha se Greqia vazhdimisht avokon për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe shtoi se shteti grek do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet aktuale politike, me theks të veçantë te situata në Ukrainë pas invazionit dhe agresionit rus dhe ndikimi që mund të ketë në destabillizimin e Ballkanit Perëndimor.