Me 98.6% të votave Albin Kurti, të dielën u konfirmua si kryetar i Vetëvendosjes pa kundërkandidatë.
Shija e fitores në këtë garë nuk është e panjohur për të.
Ai udhëheqë me Lëvizjen qysh nga 2005-ta, sa ajo ende s’ishte parti.
Nga kryetarllëku ky u largua vetëm për tre vjet më 2015. Meqë statuti i subjektit s’ia lejonte kandidimin, kryetar u bë Visar Ymeri.
I pakontestushëm në krye të partisë, ishte edhe Hashim Thaçi i PDK-së. Bile ai në konventat pa kundërkandidatë, thirrte edhe kundërshtarët politik.
Nga kjo pozitë ai do të largohej vetëm kur u bë president shteti, më 2016. Drejtimin e partisë e mori, Kadri Veseli, njofton Klan Kosova.
Ky ishte kryetar për 4 vjet, deri kur u ftua nga Specialja. Kjo situatë, solli konventën e jashtëzakonshme të PDK-së më 2021, ku kryetar u zgjodhë, Memli Krasniqi.
Po këtë vit fronin e partisë e mori edhe Lumir Abdixhiku i LDK-së, që mposhti Lutfi Hazirin e Besian Mustafën.
Ky u bë kryetari i katërt i subjektit më të vjetër në vend. Më jetëgjati ishte Ibrahim Rugova, që atë e drejtoi nga themelimi më 1989 e deri kur vdiq më 2006.
Ai u pasua nga Fatmir Sejdiu, në procesin ku pati goxha hallakamë.
Ky në kuvendin e shtatë humbi garën ndaj Isa Mustafës i cili në mandatin e tretë dha dorëheqje për shkak të rezultateve të dobëta në zgjedhje.
Krejt këta, mbase ia kanë lakminë kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Në kuvendin e nëntë, ai u rizgjodhë kryetar i partisë që e drejton tash e 20 vjet.