Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka numëruar sukseset e qeverisjes së tij në fushën e drejtësisë për vitin 2022, shkruan Fol Drejt.
Kurti tha se si ekzekutiv kanë qartësuar e trasuar rrugën për zhvillimin e Vetingut në sistemin e drejtësisë, bartës i të cilit do të jetë Kuvendi i Republikës së Kosovës.
“Miratuam Strategjinë e Sundimit të Ligjit;
Miratuam Strategjinë Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje dhe Planin e veprimit për vitet 2022-2026;
Lansuam Protokollin Shtetëror për Trajtimin e rasteve të Dhunimeve Seksuale;
Ndryshuam Kodin Penal për dënime plotësuese ndaj atyre që shpallen fajtor për dhunim seksual dhe dhunë në familje;
Komisioni i Venecias i ka aprovuar ndryshimet për Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme”, shkroi Kurti në Facebook.
Ttutje, ai theksoi se është miratuar në Kuvend Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, janë miratuar në lexim të parë Projektligji për Prokurorin e Shtetit dhe ai për Prokurorinë Speciale, është miratuar në lexim të parë Projektligji për Themelimin e Institutit për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës si dhe është miratuar Plani i Veprimit për zbatimin e projektit “Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-99 në Kosovë”. /FolDrejt/