Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i është drejtuar deputetëve të opozitës në Kuvendin e Kosovës, të cilët e kritikuan për çështjen e shtrenjtimit të energjisë elektrike në vend, duke u thënë se njeriu duhet të jetë magjistar për të besuar se ka një zgjidhje siç po e kërkojnë ata.
“Duhet të jesh magjistar, asgjë më pak se magjistar që të besosh se ka një zgjidhje për energjinë elektrike pa subvencion, pa shtrenjtim dhe pa shkyçje. Unë magjistar nuk jam, jam veç kryeministër, për fatin e keq tuajin”, deklaroi ai.
Përveç kësaj, Kurti po ashtu sqaroi se ai nuk po e fajëson opozitën për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe se kjo nuk ka fajtor të brendshëm.
“S’ka fajtor të brendshëm rritja e çmimit të importit, sepse është çështje e bursës ndërkombëtare. Ajo çfarë unë ju kam akuzuar është mungesa e kapaciteteve gjeneruese që do të na e mbulonin konsumin sot, ky është problemi. Privatizimi i shpërndarjes dhe i furnizimit, heqja e bllok tarifave dhe mungesa e kapaciteteve. Për çmim të lartë të energjisë elektrike që po importojmë nuk kam akuzuar askënd brenda nesh”.
“Unë nuk po them që njeriu nuk e paramendon të ardhmen më të mirë dhe kjo nuk është fuqi me ec përpara, por jo te regjistri i fantazisë me një botë magjike, ky është problem”, përfundoi Kurti.