Sot është mbajtur mbledhja e radhës e Qeverisë së Kosovës.
Në këtë mbledhje u adresua edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ndër të tjera theksoi se për herë të parë fondi i pagave në Republikën e Kosovës, po rritet me 100 milionë euro, përcjell Fol Drejt.
“Pas miratimit të Ligjit të Pagave, ku vendoset sistemi unik për kompensimin e zyrtarëve publikë në Republikën e Kosovës, sot po vendosim në Ligjin e Buxhetit të Kosovës edhe vlerën e koeficientit, duke plotësuar Ligjin për Buxhetin.
Prej dhjetorit, kur Kuvendi miratoi Ligjin e Pagave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Financave, Punës dhe Transfereve, kanë bërë përllogaritjet e nevojshme, klasifikimin e plotë të pozitave sipas Ligjit të ri të Pagave të 82 mijë zyrtarëve publikë.
Pas këtij procesi voluminoz dhe shumë kompleks, është mbërritur tek vlera e koeficientit për vitin 2023 dhe ai është 105.
Ndërsa, në janar të vitit 2024, sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, ai do të jetë 110.
Me këtë ndryshim-plotësim të Ligjit të Buxhetit, i hapet rrugë sistemit të ri të pagave në Republikën e Kosovës prej këtij muaji.
Me këtë sistem të ri dhe këto vlera të reja të kompensimeve, ne kemi synuar dhe mbërritur disa objektiva bazë: Barazi dhe ndershmëri për pagat mes të kategorive, ngushtim të hendekut midis zyrtarëve të lartë dhe të tjerëve, si dhe mbështetje solide për katër kategoritë jetike për funksionimin e shoqërisë, atë të mjekëve, arsimtarëve, policëve dhe ushtarakëve.
Po ashtu, në shërbimin civil të Republikës së Kosovës, janë mbështetur më së shumti ata që kanë qenë në fund të tabelës, punëtorët e teknikët kudo nëpër administratën tonë qendrore e lokale, do ta kenë trajtimin e tyre dinjitoz dhe të drejtë.
E reja e këtij sistemi përveç vlerave, që ka sjellë në klasifikimin e kategorive tek zyrtarët publikë, është se për çdo vit do të vlerësohen mundësitë buxhetore dhe do të bëhet ndryshimi i koeficientëve sipas atyre mundësive.
Pra, pas kësaj, nuk do të ketë më stagnim të pagave të zyrtarëve pafundësisht. Ato do të lëvizin sipas rritjes apo më mirë të themi sipas punës dhe rezultateve, që kemi të gjithë ne bashkë në rritjen ekonomike të vendit.
Për herë të parë fondi i pagave në Republikën e Kosovës, po rritet me 100 milionë euro.
Për çdo vit për shkak të punësimit apo lëvizjeve të tjera, fondi i pagave ka pasur rritje apo lëvizje jo më shumë se 20 deri në 25 milionë.
Së shpejti, presim që të miratohet në lexim të dytë Ligji për Pagën Minimale, sepse pjesa më e madhe e të punësuarve të qytetarëve tanë, janë në sektorin privat.
Po ashtu, në javët në vijim, do të paraqiten edhe skemat e reja të punësimit, meqenëse prioritet i qeverisë është padyshim punësimi, e veçanërisht ai i rinisë.
Andaj, duke marrë për bazë këtë, po e hapim mbledhjen e 123-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës për sot dhe me këtë rast fjalën ia kaloj ministrit Murati për të paraqitur ndryshim-plotësimin e Buxhetit për vitin 2023.
Pra, e kemi shqyrtimin e Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 08/L-193 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023″, u shpreh Kurti./FolDrejt/