I pari i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar veprimin e qeverisë së Serbisë që të intonohet himni serb edhe në shkollat e Luginës së Preshevës.
Ai tha se në këtë rast s’bëhet fjalë për kurrfarë veprimi demokratik e human, teksa shtoi se sa më e dobët është Serbia karshi Kosovës, aq më shumë po egërsohet.
“Andaj, një lloj agresiviteti të shtuar të Serbisë duhet ta kuptojmë përbrenda dobësimit të saj në përgjithësi. Kosova është shet i pavarur e demokratik i cili angazhohet për të gjithë qytetarët pa dallim, por ne angazhohemi edhe për shqiptarët në Serbi”.
“Shqiptarët që janë në Serbi, në Preshevë, Medvegj e Bujanoc, ata janë të diskriminuar dhe dëshmitar për këtë ishte edhe delegacioni ynë që ishte në vizitë”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se Lugina e Preshevës do të ndihmohet nga Qeveria e Kosovës, ku në buxhetin e këtij viti u ndihmua me 2 milionë euro.
Kurti citoi thënien e poetit Esat Mekuli se “zullumi këputet prej së trashi”, teksa tha se “zullumi” i shtuar i Serbisë që bëhet edhe mbi vetë serbët e Kosovës është duke i ardhur fundi, pasi Kosova po bëhet çdo ditë vend më demokratik e kjo, sipas tij, dëshmohet edhe me reciprocitet karshi Serbisë.