Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se për rastin Dehari nevojitet hetim i ri, i pavarur e profesional, për ta ndriçuar plotësisht këtë krim, jo vetëm mbi faktet e provat materiale por edhe për procesin e deritanishëm hetues.
“Raporti i tyre është shkencor dhe i hollësishëm për nga metoda dhe të gjeturat. Ata kanë konstatuar përfshirjen e personi/ave të tretë. Nevojitet hetim i ri, i pavarur e profesional, për ta ndriçuar plotësisht këtë krim. Jo vetëm mbi faktet e provat materiale. Sepse, duhen hetuar e shqyrtuar rrethanat fizike dhe të tjera të krimit, si dhe procesi i deritanishëm hetues. Sepse, duhen hetuar njerëzit përgjegjës, çka kanë bërë, si e kanë bërë dhe çka nuk kanë bërë. Krimit mbi Astritin në duar të shtetit para tri vjetëve i është shtuar padrejtësia e shtetit tash e tri vjet. Drejtësia për Astritin nuk ka alternativë. Është në pyetje asgjë më pak se e drejta për jetë e qytetarit të Republikës”, ka shkruar ai.