Pas përfundimit të takimit ndërmjet Kryeministrit Albin Kurti me Këshillin Grevist, i cili rezultoi pa ndonjë marrëveshje, kryeministri ka mbajtur një konferencë për media, raporton Fol Drejt.
Ai i ka akuzuar sindikalistët për josinqeritet, duke pretenduar se ndryshe kanë folur në takim dhe ndryshe kanë vepruar jashtë takimit:
“Ata thanë që do të konsultohen për këto gjëra me anëtarësinë, kur dolëm nga takimi, thanë: vazhdon greva! Unë nuk e di çfarë anëtarësie është ajo e cila reduktohet ndoshta në një telefonatë. S’kam si e kuptoj ndryshe këtë!” – u shpreh ai i çuditur.
Për më shumë, ai tha se roli i tij dhe i kabinetit të tij, është keqkuptuar.
“Ata me mua janë sjellur thuajse buxheti i Kosovës është para e imja. Këto janë para të qytetarëve. Më thoshin: na ndihmo si vëlla, si vëlla të ndihmoj privatisht, po unë jam kryeministër, dhe ka kaluar koha kur kryeministrat bëhen vëllezër” – ka thënë Kurti.
Siç kemi raportuar, pas takimit, Këshilli Grevist ka njoftuar se greva e mësimdhënësve do të vazhdojë edhe më tutje, duke qenë se marrëveshja për ndërprerjen e saj, nuk është arritur./FolDrejt/