Në prononcimin për media pas samitit, kryeministri Kurti ka folur edhe në lidhje me situatën me SHBA-të pas vendimit për mosshtyrjen e targave, pavarësisht kërkesës së SHBA-ve.
Siç ka thënë kryeministri Kurti, shtyrja 10-mujore nuk mund të jetë shtyrje, sepse shtyrja mund të jetë disa javore, apo 1-2 muaj.
Ai tutje është shprehur se nuk kanë bërë shtyrje meqë janë në të drejtën e tyre, e njëkohësisht kryeministri Kurti ka bërë me dije se kanë shprehur mirëkuptim për brengat evropiane dhe amerikane në lidhje me cenimin e paqes dhe sigurisë.
“Por në këtë rast ne s’kemi bërë shtyrje se jemi në të drejtën tonë dhe në të njëjtën kohë kemi shprehur mirëkuptimin për brengat evropiane e amerikane lidhur me mundësitë e cenimit të paqes e sigurisë”, është shprehur Kurti.
“Nuk ka vendim që shkakton preokupim të paqes e sigurisë për të cilin ne nuk i njoftojmë partnerët tanë në Washington dhe Bruksel. Pra, ata e dinë paraprakisht qëndrimin tonë”.
“Nuk do të thotë që pajtohemi çdo herë, kudo, sepse qeveria jonë është qeveri e një vendi sovran, dhe kështu edhe ShBA-ja na duan neve, por në anën tjetër s’mund të thuhet që ka pasur kurrfarë shpërfillje nga qeveria jonë ndaj brengave evropiane”, ka shtuar Kurti./FolDrejt/