Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim virtual me Ministren për Fqinjësi Evropiane dhe Amerikë në Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, Wendy Morton.
Ministrja Morton e uroi Kurtin për fitoren e 14 shkurtit dhe mandatin për të udhëhequr me vendin.
Ajo shprehu gatishmërinë për të punuar bashkë e për të rritur bashkëpunimin në mes dy vendeve, sidomos në agjenda të përbashkëta, si ajo e sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit, si dhe për të vazhduar me ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën në procesin e rekrutimit të shërbyesve të lartë civilë.
Kryeministri Kurti e falënderoi ministren Morton për rolin e rëndësishëm të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe mbështetjen e vazhdueshme që i ofron Kosovës.
Në takim, Kurti po ashtu theksoi se prioritet i Qeverisë është krijimi i vendeve të reja të punës, dhe se Qeveria është e gatshme që të rrisë bashkëpunimin bilateral në mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe atë të tregtisë. Kurse, sa i përket dialogut me Serbinë ai tha se duhet të jetë i përgatitur mirë dhe me parime, dhe duhet t’i shërbejë qytetarëve.