Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim drejtuesit e Shoqatës Humanitare “Peja”, me seli në Nju-Jork, Rejmond Zekën – kryetar, Blerim Koçanin – sekretar, Nevzat Bakraqin – anëtar i kryesisë dhe Reshat Kelmendin – arkëtar.
Kurti i falënderoi për vizitën dhe për gjithë kontributin që kanë dhënë mërgimtarët në kohën e luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Mërgata jonë është pjesë integrale e fuqishme e planit tonë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, theksoi ai dhe shtoi se vëmendja e veçantë për mërgatën është reflektuar edhe në programin e qeverisë.
Drejtuesit e njoftuan Kurtin për veprimtarinë e shoqatës, e cila është themeluar në shtator 1998, si nevojë e situatës së atëhershme politike e ekonomike në Kosovë.
Ata thanë se shoqata ka ruajtur karakterin humanitar që nga themelimi dhe iu ka përgjigjur kërkesave dhe nevojave të shtetit dhe kombit, duke ndihmuar shtresat e varfra në Kosovë e më gjerë dhe personat me probleme shëndetësore.
Viteve të fundit shoqata “Peja” ndihmon edhe sportin dhe kulturën në Kosovë dhe krahas humanizmit bashkëpunon me shoqata të tjera shqiptare që veprojnë në ShBA, për ruajtjen e gjuhës, traditës dhe kulturës shqiptar.