Pas ceremonisë së rifillimit të procesit të vaksinimit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia kanë zhvilluar edhe një takim bilateral me Olivér Várhelyi, Komisioner për Fqinjësi dhe Zgjerim.
Në takim ishin të pranishëm edhe shefi i Zyrës së BE në Kosovë dhe Përfaqësues special i BE-së, ambasadori i BE-së Tomas Szunyog dhe Lazlo Andrejko, anëtar i kabinetit të Komisionerit.
Kurti e njoftoi komisionerin Várhelyi, për masat që ka ndërmarrë Qeveria për parandalimin e përhapjes së pandemisë dhe për fushatën e vetëdijesimit të popullatës për të vazhduar respektimin e masave mbrojtëse.
Ai tha se kujdesi i të gjithëve duhet të shtohet dhe se është shumë e rëndësishme që procesi i vaksinimit të intensifikohet para fillimit të verës, atëherë kur edhe mërgata jonë kthehet në Kosovë.
Kryeministri Kurti tha se bashkatdhetarëve nga diaspora u duhet krijuar ambient i sigurt i qëndrimit, ashtu që ata të mund të ribashkohen me familjarët e tyre dhe të kontribuojnë në ringjalljen ekonomike të vendit.