Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se miratimi i Projektligjit për Çmimin e Produkteve Medicinale do të mundësojë vendosjen e një çmimi tavan për ilaçe.
Sipas Kurtit, barnat duhet të jenë edhe të disponueshme edhe të përballueshme, transmeton Fol Drejt.
“Barnat duhet të jenë edhe të disponueshme edhe të përballueshme. Nuk mjafton që ato të jenë në raftet e barnatoreve, nëse nuk janë në sirtarët e shtëpive tona. Nuk mjafton që t’i ketë farmacisti, nëse nuk i ka pacienti. Na duhen të dyja, pa kursyer shëndetin dhe duke kursyer xhepin.
Projektligji për Çmimin e Produkteve Medicinale, që e miratuam sot në qeveri, na mundëson të përballojmë sëmundjet me barna të përballueshme, të vendosim çmime tavan dhe të unifikuara për ilaçet. Që të ruajmë shëndetin e qytetarëve dhe t’i mbrojmë ata nga abuzimi me çmime.”, është shprehur kryeministri Kurti në një postim në Facebook./FolDrejt/